“`html
Energjia, rritet pesha e impianteve fotovoltaike, prodhuan 19% të totalit, më shumë eksporte
Prodhimi i energjisë elektrike në vend u rrit me më shumë se një të tretën në tremujorin e dytë të këtij viti. Në të njëjtën periudhë, eksportet u zgjeruan me mbi 55% dhe importet ranë, ndërsa investimet në kapacitete të reja fotovoltaike po zgjerojnë gradualisht bazën prodhuese të vendit.
Bilanci i energjisë i tremujorit të dytë të vitit 2026, i publikuar nga INSTAT, tregon se prodhimi neto vendas arriti në 2.361 GWh në periudhën prill-qershor, nga 1.757 GWh një vit më parë, duke shënuar një rritje vjetore prej 34,4%. Energjia në dispozicion u rrit me 5,1%.
Rritja e prodhimit u shoqërua me tkurrje të importeve dhe një zgjerim të fortë të eksporteve. Importi bruto i energjisë elektrike, përfshirë shkëmbimet, ra me 21,5% në 569 GWh, nga 725 GWh në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Eksporti bruto u rrit me 55,4%, duke arritur në 991 GWh, nga 638 GWh në tremujorin e dytë të vitit 2025. Diferenca mes eksporteve dhe importeve rezultoi pozitive, duke arritur në 422 GWh gjatë tremujorit, çka tregon një nivel më të lartë të energjisë së dhënë jashtë vendit krahasuar me atë të marrë.
Burimet e tjera të rinovueshme arrijnë 19% të prodhimit
Hidrocentralet vijuan të dominonin prodhimin vendas, por të dhënat tregojnë një rritje të shpejtë edhe të kategorisë së prodhuesve të tjerë. INSTAT përfshin në këtë kategori burimet e rinovueshme të ndryshme nga hidro dhe termo, siç janë impiantet fotovoltaike. Kjo kategori prodhoi 448 GWh në tremujorin e dytë, krahasuar me 288 GWh një vit më parë, duke shënuar një rritje prej 55,6%. Ajo përbënte 19% të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike në këtë periudhë, krahasuar me 42,8% të realizuar nga hidrocentralet publike dhe 38,2% nga hidrocentralet private dhe koncesionare.
Rritja e kësaj kategorie përkon me zgjerimin e investimeve në sektorin fotovoltaik. Të dhënat e INSTAT tregojnë se hidrocentralet publike prodhuan 1.011 GWh gjatë tremujorit të dytë, 43,6% më shumë se një vit më parë. Hidrocentralet private dhe koncesionare prodhuan 903 GWh, me rritje vjetore prej 18%. Në total, prodhimi nga hidrocentralet arriti në 1.913 GWh, ndërsa 448 GWh erdhën nga prodhuesit e tjerë.
Shqipëria nuk regjistroi prodhim nga termocentralet gjatë periudhës së analizuar.
Konsumi rritet 6,2%
Rritja e prodhimit u shoqërua edhe me një konsum më të lartë të energjisë elektrike. Përdorimi nga konsumatorët arriti në 1.619 GWh gjatë tremujorit të dytë, 6,2% më shumë se 1.525 GWh në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Konsumi i familjeve u rrit me 5,6%, ndërsa ai i konsumatorëve jo familjarë u zgjerua me 6,9%. Familjet përdorën rreth 823 GWh energji elektrike gjatë tremujorit, ndërsa konsumatorët jo familjarë rreth 796 GWh.
Humbjet totale në rrjet mbetën pothuajse të pandryshuara, duke u rritur me 0,1% në 320 GWh nga 319,6 GWh një vit më parë. Pesha e tyre ndaj energjisë në dispozicion ra në 16,5%, nga 17,3%. Humbjet në transmetim u rritën me 20,4%, ndërsa ato në shpërndarje ranë me 3,1% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025.
“`
