“`html
Shifrat e ILO: Produktiviteti i punës në Shqipëri pësoi rënie në 2025, e fundit në Ballkan
Produktiviteti i punës në Shqipëri pësoi një rënie vitin e kaluar, duke u pozicionuar në nivelin më të ulët në Rajonin e Ballkanit Perëndimor. Sipas të dhënave nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), Prodhimi i Brendshëm Bruto për orë pune në Shqipëri, i vlerësuar në 18.7 dollarë ndërkombëtarë, është tkurrur me 4.1% krahasuar me vitin 2024. Kjo situatë ka thelluar më tej hendekun me vendet fqinjë të rajonit.
Produktiviteti i punës matet zakonisht si raporti i vlerës së prodhimit me kohën e shpenzuar për ta prodhuar. Statistikat krahasuese përdorin si njësi matëse dollarin ndërkombëtar, një njësi monetare hipotetike e përdorur në funksion të paritetit të fuqisë blerëse.
Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria paraprihet nga:
- Bosnje Hercegovina, me 26.3 dollarë për orë
- Serbia, me 29.8 dollarë
- Mali i Zi, me 31.1 dollarë
- Maqedonia e Veriut, me 34 dollarë
Statistikat e ILO nuk ofrojnë të dhëna për Kosovën. Shqipëria renditet gjithashtu nën mesataren globale, e cila vlerësohet nga ILO në 23.3 dollarë për orë pune.
Faktorët kryesorë që përcaktojnë nivelin e produktivitetit përfshijnë investimet në teknologji dhe automatizim, inovacionin dhe cilësinë e kapitalit njerëzor (aftësitë e forcës së punës). Gjithashtu, struktura e ekonomisë dhe pesha në prodhim e sektorëve që zakonisht mundësojnë një vlerë më të madhe të shtuar për njësi kohë pune luajnë një rol të rëndësishëm.
Vendet me produktivitetin më të lartë të punës në botë janë Irlanda, me 164.7 dollarë në orë, e ndjekur nga Luksemburgu, me 159.5 dollarë në orë.
Të dhënat e ILO sugjerojnë se ekonomitë që shfrytëzojnë një forcë pune me kosto të ulët, priren të kenë edhe produktivitet më të dobët. Në Shqipëri, kostoja e ulët e krahut të punës dhe informaliteti i lartë nuk kanë krijuar stimul të mjaftueshëm për rritjen e produktivitetit në dekadat pas rënies së komunizmit. Paga e ulët ka limituar presionin mbi bizneset për të investuar në automatizim, i cili do të mundësonte rritjen e prodhimit pa shtuar kostot e punës.
Rënia e peshës së fasonerisë në ekonomi dhe punësim mund të shërbejë si një mundësi për orientimin e ekonomisë drejt sektorëve me produktivitet më të lartë. Produktiviteti i ulët i punës kufizon mundësitë për rritjen e pagave reale, duke e bërë përmirësimin e këtij treguesi thelbësor për mirëqenien e vendit. Nga ana tjetër, presioni nga tregu i punës për rritjen e pagave, siç ka ndodhur në Shqipëri vitet e fundit, mund të krijojë më shumë nevojë për rritjen e produktivitetit, në mënyrë që bizneset të ruajnë konkurrueshmërinë. Megjithatë, statistikat krahasuese të ILO-s tregojnë se Shqipëria nuk ka arritur përmirësime të rëndësishme në produktivitetin e punës.
“`
