Prokurori Armand Gurakuqi paraqiti të hënën, më 27 tetor, parashtrimet e tij para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA) lidhur me një hua dhe një kontratë bashkëpunimi të bashkëshortes së tij. Kolegji vendosi të vijojë gjykimin në seancë publike për të konfirmuar saktësisht dhe plotësisht situatën faktike të këtyre marrëdhënieve.
Gurakuqi u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) më 28 prill 2023, pasi u konkludua se kishte kryer deklarime të pamjaftueshme për pasurinë. Vlerësimi i përgjithshëm përfshiu analizën e marrëdhënieve juridiko-financiare të bashkëshortes me një shoqëri ndërtuese, si dhe investimet e përsëritura me mjete monetare shumë më të mëdha se ato të disponueshme nga vetë subjekti. Këto elementë i dhanë KPK-së bindjen se prokurori Gurakuqi, me veprimet dhe mosveprimet e tij, kishte cenuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë. Megjithatë, ai u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe për arritjen e një niveli kualifikues për profesionalizëm.
Armand Gurakuqi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2003 dhe punoi për gati dy dekada si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ai deklaroi fillimisht se kishte ushtruar funksionin e tij me drejtësi dhe përkushtim maksimal, duke nënvizuar se kishte kontribuar në rritjen e besimit të publikut, në kundërshtim me konstatimet e KPK.
Më pas, prokurori Gurakuqi parashtroi argumentet e tij lidhur me dy marrëdhëniet financiare të bashkëshortes. Sipas tij, ajo kishte marrë një hua nga një person me të cilin kishin marrëdhënie familjare, si dhe kishte lidhur një marrëveshje bashkëpunimi me një biznesmen, me të cilin po ashtu kishin miqësi familjare. Gurakuqi deklaroi se ishte në dijeni të këtyre veprimeve financiare të bashkëshortes dhe se kishte dhënë dakordësinë, por theksoi se ishte kujdesur që të mos cënonte funksionin e tij dhe nuk ishte bërë palë në këto marrëdhënie.
Prokurori shpjegoi se kishte pasur miqësi fillimisht me të dy personat me të cilët bashkëshortja kishte lidhur kontratat, miqësi që më vonë u konsolidua në marrëdhënie familjare. Ai tregoi se biznesmeni Zyber Zdralla u kishte sugjeruar atyre të bëheshin pjesë e një investimi për ndërtimin e një objekti. Për shkak të mungesës së mundësive financiare, ata iu drejtuan për ndihmë mikut tjetër, Fatos Shehaj. Sipas Gurakuqit, ishte e provuar se Shehaj kishte pasur mundësi për dhënien e huasë, pasi kishte shitur pasuri të paluajtshme dhe kishte burime të tjera financiare ligjore. Ai sqaroi se Shehaj i kishte ndihmuar edhe më parë për vendosjen e një kolaterali për një kredi.
Prokurori Armand Gurakuqi parashtroi se kishin pasur vështirësi financiare pasi kishin marrë më parë dy hua dhe një kredi. Ai pohoi se kur morën sugjerimin për marrëveshjen e bashkëpunimit, së bashku me bashkëshorten vlerësuan se kjo do të ishte një mënyrë e mirë për të shlyer detyrimet. Në këto rrethana, bashkëshortja mori huanë nga Shehaj dhe më vonë nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me Zdrallën. Sipas tij, Shehaj dhe Zdralla nuk kishin pasur komunikim apo njohje më parë me njëri-tjetrin.
Gurakuqi tha se ky investim nuk shkoi siç duhet, projekti dështoi dhe për pasojë bashkëshortja nuk mori asnjë fitim, por vetëm humbje. Ai sqaroi se fitimi i parashikuar për bashkëshorten, në rast realizimi të projektit, ishte 15% e fitimit të biznesmenit Zdralla, jo i gjithë investimit. Ai shpjegoi se kompania ku Zdralla ishte ortak do të përfitonte 42% të sipërfaqes ndërtimore, nga e cila Zdralla si ortak do të merrte 21%, dhe bashkëshortja 15% të kësaj pjese, që përbënte rreth 2.5% të investimit total.
Subjekti pohoi se bashkëshortja dhe ai kishin komunikuar vetëm me Zdrallën dhe në vitin 2019 kuptuan se investimi kishte dështuar. Ai sqaroi se dokumentet tregonin se Zdralla ishte në vështirësi financiare, pasi i ishin sekuestruar të gjitha pasuritë, përfshirë shtëpinë e tij.
Prokurori Gurakuqi theksoi se ligji nuk e ndalon bashkëshorten të marrë hua dhe se ai nuk ka qenë në asnjë rast në konflikt interesi që të cënonte besimin, siç ishte konstatuar nga KPK.
Më tej, Gurakuqi u pyet nga relatorja Albana Shtylla lidhur me rolin e tij në marrjen e huasë prej 75 mijë euro. Ai shpjegoi se kishte qenë dakord dhe se roli i tij ishte ai i një bashkëshorti që kujdeset për familjen, pa pasur asnjë lloj konflikti interesi. Ai gjithashtu saktësoi se ishte i pranishëm në momentin e dhënies së huasë.
Lidhur me marrjen e huasë cash, ai shpjegoi se ishte ofruar në këtë formë, ndërkohë që ishte ligjëruar përmes kontratës noteriale të huadhënies. Kur u pyet se përse nuk ishte dorëzuar në KPK deklarata noteriale e nënshkruar nga bashkëshortja, Gurakuqi shpjegoi se kur ishte pyetur nëse ajo kishte pasur fitime, kishte deklaruar se nuk kishte përfituar asnjë qindarkë, duke shtuar se kjo deklaratë nuk kishte lidhje me fitimin dhe prandaj nuk ishte dorëzuar. Subjekti pohoi se kontrata ekziston dhe se aktet vërtetojnë se bashkëshortja nuk ka marrë asnjë qindarkë për investimin e kryer.
Ai dha shpjegime edhe për vendosjen e një banese si kolateral, në favor të personit që kishte blerë një apartament në ndërtesën ku kishte investuar bashkëshortja. Subjekti pohoi se nuk e kishin njohur më parë personin që kishte blerë apartamentin dhe shpjegoi se ata kishin vendosur pasurinë e tyre si kolateral, me shpresën se në të ardhmen bashkëshortja do të mund të përfitonte nga investimi. Sipas tij, bashkëshortja do merrte fitim vetëm pasi të shiteshin të gjitha apartamentet.
Gurakuqi paraqiti si prova kopje të komunikimeve në aplikacionin WhatsApp të kryera me gruan për të cilën kishin vendosur banesën kolateral, si dhe ato me biznesmenin Zdralla. Ai pohoi se Zdralla e ka pranuar detyrimin e tij dhe kanë nënshkruar një deklaratë noteriale ku e njeh atë në formë huaje. Gurakuqi shpjegoi se provat i kishte bashkëngjitur në parashtrime, jo në ankim, pasi i kishte vlerësuar të mjaftueshme.
Në përfundim, Kolegji vendosi të mos i pranojë provat e dorëzuara nga subjekti, me argumentin se nuk janë në formën e duhur ligjore, si dhe mbylli shqyrtimin gjyqësor, duke u tërhequr për të marrë vendim që do të shpallet më datë 3 nëntor, në orën 09:00.
Prokurori Armand Gurakuqi deklaroi në fund të fjalës së tij se në KPK janë ngritur dyshime mbi vërtetësinë e huasë, pa pasur asnjë provë për pavërtetësinë e këtyre akteve. Ai e cilësoi të padrejtë shkarkimin e një prokurori mbi hamendësime dhe kërkoi konfirmimin e tij.