Mashtronte qytetarët duke u prezantuar si avokate/ Prokuroria Fier dërgon në gjyq të dyshuarën
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim shtetasen K.K. Ajo akuzohet për veprat penale “Mashtrimi” e kryer më shumë se një herë dhe “Fshehja e të ardhurave”, parashikuar nga neni 143, paragrafi 2 dhe 180, paragrafi 1 i Kodit Penal.
Në përfundim të hetimeve mbi procedimin penal nr. 768 të vitit 2025, të nisur pas kallëzimeve të disa shtetasve dhe informacioneve të transmetuara nga mediat investigative, ku u paraqitën shqetësime se e pandehura K.K., duke u prezantuar si avokate, kishte përfituar shuma monetare nëpërmjet mashtrimit, u evidentua e mëposhtmja:
E pandehura, e cila për një periudhë të gjatë kohore është prezantuar si avokate, ka përfituar shuma monetare nga disa qytetarë duke u premtuar zgjidhjen e çështjeve të ndryshme ligjore, administrative dhe gjyqësore. Këto premtime përfshinin legalizime pronash, procedura pensioni, çështje pronësie, përfaqësim në procese gjyqësore civile, etj.
Megjithëse paratë janë marrë nga e pandehura, verifikimet kanë treguar se këto shërbime nuk janë realizuar. Pagesat janë kryer në forma të ndryshme, përfshirë dorëzime në dorë, transferta financiare dhe pagesa të deklaruara si kapar apo shpenzime procedurale.
Në disa raste, e pandehura ka siguruar viktimat duke u thënë se procedurat ishin në vijim dhe se çështjet do të përfundonin brenda afateve të caktuara. Megjithatë, më pas komunikimi me të është ndërprerë dhe nuk është dhënë asnjë rezultat konkret. Në raste të tjera, rezulton se janë dhënë informacione të pavërteta mbi ekzistencën e proceseve gjyqësore apo aplikimeve administrative, të cilat, pas verifikimit pranë institucioneve përkatëse, nuk kanë rezultuar të kenë qenë të vërteta.
Të mashtruar nga e pandehura në këtë procedim janë evidentuar 8 shtetas, kryesisht qytetarë të Lushnjes dhe Fierit.
Hetimi ka zbuluar gjithashtu se e pandehura ka kryer veprime në dukje të një përfaqësimi ligjor në kohën kur nuk kishte statusin aktiv për ushtrimin e profesionit të avokatit. Gjithashtu, ajo ka përfituar të ardhura nga ky aktivitet pa i deklaruar ato pranë organeve tatimore.
Nga të dhënat e administruara, rezulton se për disa vite ajo ka ushtruar aktivitet ekonomik faktik, ndërkohë që figuronte me status pasiv në regjistrat tatimorë, duke mos deklaruar të ardhurat e përfituara dhe duke shmangur detyrimet tatimore përkatëse.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpreh angazhimin e plotë për hetimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale që prekin pasurinë dhe të drejtat ekonomike të subjekteve të dëmtuar.
