Prokuroria kërkon 23 vite burg për një nga autorët e vrasjes së Gentian Bejtjas
Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 23 vite burg për Ilir Beqaraj, i cili akuzohet se ka pasur rolin e ndihmësit në vrasjen e Gentian Bejtjas, ngjarje e ndodhur në banesën e viktimës më 15 mars 2024.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, kërkon shpalljen fajtor të shtetasit I. B. (i njohur edhe si I. B. ose I. M.) për veprat penale të mëposhtme:
- “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim (neni 78/1 dhe 25 i Kodit Penal).
- “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” në formën e mbajtjes në banesë (neni 278/4 i Kodit Penal).
- “Falsifikimi apo përdorimi i letërnjoftimeve, pasaportave apo i vizave të falsifikuara” (neni 189/1 i Kodit Penal).
Hetimet për procedimin penal nr. 1944/2024 kanë zbuluar se më 15 mars 2024, persona të armatosur kanë depërtuar në oborrin e banesës së shtetasit G. B. dhe e kanë qëlluar disa herë me armë zjarri, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Pak minuta pas ngjarjes, në rrugën dytësore të fshatit Hasan, Fushë-Krujë, u gjet një automjet tip “Land Rover”, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Ky automjet u gjet duke u djegur.
Provat e mbledhura, përfshirë të dhënat e GPS-it të një automjeti të marrë me qira, tregojnë se i pandehuri I. B. ka qenë në afërsi të banesës së viktimës në kohë të ndryshme para ngjarjes.
Nga analiza e ADN-së në një automjet tjetër, të markës “Volkswagen Golf” me ngjyrë të zezë, në pronësi të shtetasit E. H. (i arrestuar më 19 mars 2024), i cili u përdor për t’u larguar pas djegies së “Land Rover”-it, janë përftuar profile gjenetike të shtetasve I. B. (i njohur edhe si I. B. ose I. M.) dhe F. P. (i njohur edhe si F. S. ose F. M.). Këta persona dyshohen se kanë pasur rol në ekzekutimin e G. B.
Pas kryerjes së veprimeve hetimore, është veçuar procedura penale nr. 1944/2 për shtetasin I. B. Hetimet kanë konkluduar se I. B. ka bashkëpunuar me persona të tjerë, duke luajtur rolin e ndihmësit.
Prokuroria kërkon që I. B. të deklarohet fajtor dhe të dënohet si më poshtë:
- Për veprën penale “Vrasje me paramendim” të kryer në bashkëpunim, të dënohet me 21 vite burgim.
- Për veprën penale “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të dënohet me 2 vite burgim.
- Për veprën penale “Falsifikimi apo përdorimi i letërnjoftimeve, pasaportave apo i vizave të falsifikuara”, të dënohet me 1 vit burgim.
Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, prokuroria kërkon bashkimin e dënimeve, duke propozuar një dënim përfundimtar prej 23 vitesh burgim për të pandehurin I. B.
