Prokuroria konfirmon dënimin e gjyqtares Irena Gjoka në Greqi

BIRN: Prokuroria thotë se Irena Gjoka ishte dënuar në Greqi

Pas një hetimi administrativ që zgjati rreth 20 muaj, Prokuroria e Përgjithshme ka deklaruar se ka përfunduar verifikimin e thelluar për pastërtinë e figurës së gjyqtares së Gjykatës së Posaçme (GJKKO), Irena Gjoka. Megjithatë, rezultati i këtij verifikimi është mbajtur konfidencial.

Verifikimi nisi pas akuzave se Gjoka ishte dënuar më parë në Greqi. Prokuroria bëri të ditur se sektori i Dekriminalizimit ia ka dërguar zyrtarisht rezultatet e këtij verifikimi, më datë 19 janar 2026, Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGj), i cili ka përgjegjësinë për interpretimin e këtyre rezultateve.

“Pas kryerjes së të gjitha verifikimeve të mundshme brenda dhe jashtë vendit, më datë 19.01.2026, Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur miratimin e rezultateve të verifikimit, vendim të cilin po këtë datë ja ka përcjellë Këshillit të Lartë Gjyqësor si organ përgjegjës për verifikimin e kushteve të ndalimit”, thuhet në njoftimin për shtyp të Prokurorisë së Përgjithshme.

Një burim brenda Prokurorisë së Përgjithshme i tha BIRN, në kushte anonimiteti, se verifikimi kishte konfirmuar autenticitetin e vendimit të drejtësisë greke ndaj Gjokës.

Tani, KLGj do të duhet të shqyrtojë nëse gjetjet e Prokurorisë përbëjnë një kusht ndalimi për ushtrimin e funksionit publik, bazuar në ligjin nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

Akuzat ndaj Gjokës u bënë publike pasi ajo firmosi masat e sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, lidhur me dosjen “Partizani”. Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë akuzuar vazhdimisht Gjokën, duke pretenduar se ajo është në konflikt interesi dhe se ka fshehur të kaluarën e saj, përfshirë dënimin në Greqi.

KLGJ, pasi shqyrtoi ankesat, kërkoi verifikim të rastit nga Prokuroria e Përgjithshme. Akuzat publike sugjeronin se ajo ishte dëbuar nga Greqia për përdorim dokumentesh të falsifikuara ose shkelje të rregullave të qëndrimit, një fakt që pretendohej se nuk ishte pasqyruar në formularin e dekriminalizimit nga gjyqtarja.

Gjyqtarja Gjoka e ka kaluar më parë procesin e vetingut, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) nuk gjeti probleme që do të çonin në shkarkimin e saj. Komisioneri Publik fillimisht e ankimoi vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, por gjatë procesit në KPA, ish-komisionerja Publike Irena Nino u tërhoq nga ankimimi, duke bërë që vendimi i konfirmimit në detyrë të mbetej në fuqi.

Scroll to Top