Pronat në Himarë: Nis regjistrimi fillestar në 6 zona kadastrale

Pronat në Himarë: Nis regjistrimi fillestar për 6 zona kadastrale

Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) dhe Bashkia Himarë kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për realizimin e regjistrimit fillestar në 6 zona kadastrale. Ky hap shënon një moment të rëndësishëm drejt përmbylljes së procesit në të gjithë territorin e kësaj bashkie.

Regjistrimi fillestar i pasurive të paluajtshme është një proces fundamental për garantimin e sigurisë juridike të pronës dhe për krijimin e një regjistri kadastral të saktë. Ky regjistër shërben si bazë për zhvillimin ekonomik, investimet dhe planifikimin territorial.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, ku mori pjesë edhe kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo, Drejtoresha e Përgjithshme e ASHK-së, Lorena Goxhobelli, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me pushtetin vendor për përshpejtimin e këtij procesi në nivel kombëtar.

“Ne kemi një objektiv shumë të qartë: përmbylljen e procesit të regjistrimit fillestar në të gjithë territorin e Shqipërisë brenda vitit 2027,” u shpreh Goxhobelli.

Në Bashkinë Himarë, territori është i organizuar në 24 zona kadastrale. Deri më tani, 15 zona kanë përfunduar regjistrimin fillestar, ndërsa 3 zona janë në fazën përfundimtare të procesit. Me marrëveshjen e re, puna do të vijojë për 6 zona të tjera kadastrale, duke e afruar bashkinë drejt përmbylljes së plotë të regjistrimit kadastral në të gjithë territorin e saj.

“Përmes këtij bashkëpunimi, Bashkia Himarë do të ketë shumë shpejt një regjistër kadastral të plotë për të gjithë territorin, duke u dhënë qytetarëve mundësinë të pajisen me dokumentacion të rregullt pronësie,” theksoi Drejtoresha e Përgjithshme e ASHK-së.

ASHK dhe Bashkia Himarë vlerësuan bashkëpunimin institucional si një element kyç për përshpejtimin e proceseve të lidhura me administrimin e pronës dhe për ofrimin e shërbimeve më efikase për qytetarët.

Scroll to Top