Opozita përmbyll protestën e 8-të kombëtare. Protestuesit u bllokuan para ish-hotel Dajtit, pasi policia i ndaloi të shkonin drejt Ministrisë së Brendshme.
Opozita ka përmbyllur protestën e 8 Kombëtare. E konceptuar si një marshim pa fjalime, demokratët u bllokuan në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, sapo kaluan ish-hotel Dajtin. Duket se synimi i protestuesve ishte të marshonin drejt Ministrisë së Brendshme dhe më pas drejt godinës së parlamentit. Megjithatë, ky plan u pengua nga Policia, e cila ngriti një kordon para ish-Hotel Dajtit dhe sprapsi protestuesit me ujë dhe gaz lotsjellës.
Nuk munguan konfrontime fizike dhe hedhje molotovësh, por protesta u mbyll pa incidente të rënda. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i pajisur me maskë antigaz dhe mushama, qëndroi deri në fund të protestës, duke qenë disa herë në shënjestër të ujit nga autoboti. Pas tentativave të dështuara, Berisha i tërhoqi demokratët drejt selisë së partisë, ku njoftoi mbylljen e tubimit dhe paralajmëroi masa për protestën e ardhshme.
Protesta e tetë kombëtare e opozitës pati momente tensioni dhe përplasje mes protestuesve dhe Policisë. Pamjet tregojnë momentin kur gjatë marshimit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” drejt Ministrisë së Brendshme, kordoni i policisë u vendos për t’i ndaluar. Këtu nisi edhe përplasja mes palëve. Fillimisht policia përdori ujëhedhëse nga autoboti, ndërsa protestuesit iu përgjigjën me molotovë.
Në një moment, duket se molotovët shpërthyen pas hedhjes nga protestuesit, teksa efektivët vijuan me ujëhedhëset. Mes turmës ndodhej edhe kreu i PD-së, Sali Berisha, i cili, ashtu si drejtues të tjerë dhe protestues, mbante maskë antigaz. Ata u bënë barrikadë përballë forcave të Policisë, ndërkohë që gazi lotsjellës solli shpërndarjen e turmës.
Deputeti i PD-së, Gazment Bardhi, pati debate me efektivët e policisë gjatë protestës. Pasi policia bllokoi rrugën për të penguar marshimin drejt Ministrisë së Brendshme, Bardhi iu afrua gardhit policor duke kërkuar shpjegime për bllokimin e një proteste paqësore. Ai u shpreh se policia duhet të arrestonte ata që kanë vjedhur, si Ramën dhe Ballukun.
Bardhi deklaroi: “Edhe bulevardin e ka marrë Belinda dhe Edi Rama. Në ç’vend të botës del policia në marshim proteste paqësore? Në cilin vend pengohet protesta? Si zbatoni urdhra të paligjshëm ju? Si pengoni një protestë në mënyrë të paligjshme? Nga kush i merrni urdhrat ju? A ishte protesta paqësore? Pse provokoni? Pse bllokoni rrugën? A keni ligj ju apo zbatoni vetëm urdhra të paligjshëm? Shkoni dhe arrestoni Belinda Ballukun dhe Edi Ramën, ata që kanë vjedhur shqiptarët, jo qytetarët që protestojnë kundër korrupsionit.”
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas përplasjes me policinë, e cila bllokoi lëvizjen drejt Ministrisë së Punëve të Brendshme, paralajmëroi se ata do të marrin përgjigjen e merituar, pasi sipas tij, bllokuan një tubim që ai e cilësoi paqësor.
“Do të marrin përgjigjen e merituar. Ju e patë që ishte një marshim paqësor dhe marshimi ynë paqësor u shkelmua, u shkel Kushtetuta, çdo gjë. U bllokua rruga dhe këta, në mënyrë absolute, do të marrin përgjigjen e merituar. Këta kanë kryer një krim të shëmtuar sot, sepse ne po bënim marshimin tonë paqësor, në kuptimin më të mirë të fjalës”, tha ai.
Berisha kishte gjithashtu një paralajmërim për kryeministrin Rama dhe ish-ministren Belinda Balluku, për të cilët tha se nuk kanë vend në këtë tokë pa dalë para ligjit.
“Edi Balluku dhe Lubi Rama vend në këtë tokë nuk kanë pa shkuar para ligjit”, tha Berisha para gazetarëve.
Ai shtoi: “Do të marrin përgjigjen e merituar. Ju e patë që ishte një marshim paqësor dhe marshimi ynë paqësor u shkelmua, u shkel Kushtetuta, çdo gjë. U bllokua rruga dhe këta, në mënyrë absolute, do të marrin përgjigjen e merituar. Këta kanë kryer një krim të shëmtuar sot, sepse ne po bënim marshimin tonë paqësor, në kuptimin më të mirë të fjalës. Edi Balluku dhe Lubi Rama vend në këtë tokë nuk kanë pa shkuar para ligjit. Ata bllokuan bulevardin, por ne do të përgatitemi për të gjitha format dhe i garantoj se e kanë të humbur 100%. Mbrojnë dy kriminelë si Edi Rama dhe Lubi Balluku, mbrojnë Linda Ramën dhe Lindën e AKSHI-t. Këta janë hajdutët e këtij kombi. Dhe këtë e bën një mercenar, që do t’jua tregojmë juve fytyrën e Skënder Ballukut.”
