Rama: Negociatat me BE zgjaten, 2027-2028 objektiv

Dita e Evropës, Rama: Viti 2027 është një objektiv i vendosur bashkërisht, por mbyllja e negociatave mund të zgjatet deri nga mesi i vitit 2028

Në kuadër të Ditës së Europës, më 9 maj, Kryeministri Edi Rama deklaroi se, megjithëse viti 2027 është vendosur si objektiv i përbashkët për mbylljen e negociatave, procesi mund të zgjatet deri në mes të vitit 2028.

Gjatë fjalës së tij në aktivitetin për hapjen e Javës së Europës, kryeministri theksoi se viti 2030 përbën një objektiv madhor për përmbylljen e negociatave për integrimin në Bashkimin Europian.

“Sa i përket çështjes së 2027, 2027 është një objektiv i vendosur bashkërisht, por është lënë edhe një hapësirë që, për një arsye ose një tjetër, mund të ketë edhe një zgjatje të mbylljes së negociatave deri nga mesi i vitit 2028. Jemi pak a shumë në të njëjtën gjatësi vale. 2030 është vendosur si një objektiv madhor. Pas negociatave ka ratifikime, miratime nga shtetet dhe kërkon një kohë”, u shpreh Rama.

Kryeministri Rama komentoi gjithashtu raportin IBAR. Ai theksoi se shtetet anëtare kanë të drejtën e tyre për diskutim, por Shqipëria referohet Komisionit Europian.

“Subjektiviteti i shteteve anëtare është i padiskutueshëm dhe i pavënëshëm në pikëpyetje, sepse kanë të drejtën e tyre të bëjnë pyetje. Ne jemi me Komisionin; kur ata thonë që Shqipëria i ka plotësuar kushtet, për ne detyra është kryer. Ne vazhdojmë punën në të gjitha drejtimet. Kjo është një çështje e reformave dhe mënyrës se si ato implementohen, një çështje raporti me mediat. Garancia është te fakti që ne duhet të përpiqemi përditë dhe pastaj është Komisioni që gjykon”, tha Rama.

Ambasadori Silvio Gonzato, duke folur për të njëjtën temë, hodhi poshtë spekulimet lidhur me raportin IBAR, duke konfirmuar se ai ka marrë një vlerësim pozitiv.

Ambasadori Gonzato e cilësoi spekulim deklaratat e bëra nga Partia Demokratike në lidhje me bllokimin e raportit IBAR. Gjatë eventit për Ditën e Europës, ai sqaroi se dokumenti është pozitiv dhe se shtetet anëtare do ta diskutojnë, por jo do ta votojnë.

“Siç e thashë edhe dje, kam dëgjuar shumë spekulime për çka po ndodh në Bruksel dhe duhet të jem pak pedagogjik në qasjen time në përgjigje. Së pari, grupi i punës, Koela, është një grup pune që bën bashkë përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së. Është një grup diplomatësh që mblidhen me dyer të mbyllura. KE po vërtet ka dorëzuar këtij grupi raportin IBAR, një raport për të parë nëse Shqipëria ka përmbushur piketat e tanishme. Raporti ka bërë vlerësim pozitiv. Janë shtete anëtare që do të diskutojnë; ato nuk hedhin një votë për këtë raport, por e diskutojnë. Nën udhëheqjen e Këshillit, Qipro duhet të miratojë një qëndrim dhe të shpjegojë piketat përmbyllëse që duhet të plotësojë Shqipëria. Kapitulli i themeloreve është i pari që hapet dhe i fundit që mbyllet. Është një diskutim i rëndësishëm. Kjo është përgjigja ime.”, tha Gonzato.

Scroll to Top