Protesta Kombëtare PD: 24 Janar kundër qeverisë

Kryesia vendos: Më 24 janar mbahet protesta kombëtare e Partisë Demokratike

Kryesia e Partisë Demokratike ka vendosur që më 24 janar të zhvillohet protesta e radhës kombëtare. Kjo protestë pritet të zhvillohet si pjesë e aksionit opozitar, me qëllim kundërshtimin e qeverisë dhe denoncimin e situatës politike në vend.

Kryedemokrati Sali Berisha theksoi se e vetmja mënyrë për rrëzimin e qeverisë së Edi Ramës janë protestat e vazhdueshme. Berisha shtoi se do të tregoheshin “naivë” nëse do të pritej që kryeministri të largohej nga ndonjë ndërhyrje e huaj.

Më tej, Berisha u shpreh se alternativat e tjera janë iluzive dhe se qytetarët shqiptarë duhet të jenë në vijën e parë të reagimit kundër pushtetit. Ai vlerësoi si pozitive zhvillimet ndërkombëtare dhe qëndrimet kritike ndaj qeverisjes së Edi Ramës.

“Dje, po në këtë kuadër, thirrëm një takim jashtëzakonisht të rëndësishëm me shoqërinë civile dhe forcat politike. Në emër tuaj, unë u shpreha edhe një herë mirënjohjen më të thellë të të gjithë atyre personaliteteve të fushave të ndryshme, të cilat, pavarësisht nga pavarësia e tyre në kuptimin politik, pa asnjë afilacion partiak, erdhën aty sepse të gjithë ata janë kundër të keqes që po përjeton vendi,” theksoi Berisha.

Scroll to Top