FT: Dhjetëra mijëra shqiptarë marrin pjesë në protestën e “Revolucionit të Flamingove”
Demonstratat kundër korrupsionit qeveritar janë ndezur nga projekti i Jared Kushner për investime në pasuritë e paluajtshme.
Flamingë letre dhe flamuj shqiptarë mbushën Tiranën të shtunën, ndërsa dhjetëra mijëra shqiptarë nga e gjithë Europa iu bashkuan protestës kundër korrupsionit qeveritar dhe planeve të Jared Kushner për një resort bregdetar me vlerë 4 miliardë dollarë.
Kjo demonstratë, ndër më të mëdhatë në Shqipëri në vite, mblodhi familje, tifozë futbolli, nacionalistë dhe madje edhe një karvan makinash nga Londra, duke treguar një unitet të rrallë. Shumë prej tyre kërkuan burgosjen e kryeministrit Edi Rama dhe liderit të opozitës Sali Berisha.
Kushner, dhëndri i ish-Presidentit Donald Trump, ka paraqitur plane për një zhvillim luksoz në Sazan – ishulli i vetëm i madh i Shqipërisë në Adriatik – dhe në një zonë bregdetare ngjitur me të, pranë një rezervati natyror që shërben si habitat për flamingot. Ky projekt ka frymëzuar një lëvizje proteste të quajtur “Revolucioni i Flamingove”.
“Ajo që nisi si një reagim ndaj ndërtuesve të korruptuar, tani është kthyer në një lëvizje,” tha Ervin Kaçiu, sociolog në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. “Kjo lëvizje ka gërshetuar të gjitha problemet e Shqipërisë: korrupsionin politik, pushtetin e oligarkëve, si dhe heshtjen e policisë dhe mediave kryesore përballë paligjshmërive. Njerëzit tani po ngrihen kundër të gjithë sistemit.”
Për tre javë rresht, mijëra njerëz janë mbledhur pasdite në Tiranë, ndërsa marshime janë organizuar edhe në qytete të tjera të vendit, si dhe në 30 qytete anembanë botës.
Një varg i gjatë makinash përshkoi qendrën e Tiranës të shtunën pasdite, kur karvani – i nisur nga Londra dhe i shtuar përgjatë rrugës nga drejtues të tjerë nga Europa – mbërriti në kryeqytet. Automjetet, të mbuluara me flamuj dhe me boritë që nuk ndaleshin, nxitën brohoritje të mëdha nga kalimtarët.
“Ne jemi një komb i bashkuar kundër oligarkëve dhe elitës politike,” tha Artur Bregu, një tregtar nga veriu i Tiranës, i cili mbylli biznesin e tij për t’iu bashkuar protestës. “Nuk e di çfarë mund të arrijmë, por nëse heshtëm, korrupsioni do të vazhdojë përgjithmonë.”
Nga fillimi i mbrëmjes, dhjetëra mijëra njerëz kishin mbushur bulevardin kryesor përpara kryeministrisë, duke përdorur fishkëllima, borie dhe vuvuzela.
Lëvizja ka ngjallur një indinjatë të thellë dhe të rrënjosur ndaj lidhjeve klienteliste mes elitës politike shqiptare dhe disa familjeve të pasura që kontrollojnë vendin. Protestuesit kanë mbajtur gjithashtu edhe flamuj amerikanë, duke theksuar se nuk janë kundër SHBA-së, por kundër mënyrës se si po shfrytëzohen investimet e huaja.
“Kjo kastë kontrollon politikën e Tiranës, botën e biznesit dhe mediat prej dekadash,” tha Fatos Lubonja, shkrimtar dhe disident i njohur, i cili prej vitesh kritikon Ramën për çështje korrupsioni. “Për ta, lidhjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare janë thjesht një tjetër fasadë për të siguruar dhe zgjatur pushtetin e tyre.”
Rama i ka cilësuar protestuesit si ekstremistë dhe i ka akuzuar ata se po bllokojnë një projekt që është në interes të Shqipërisë. Kryeministri ka akuzuar gjithashtu edhe agjentë të huaj, përfshirë ata nga Irani, për nxitje të trazirave.
“Flamingot duhet ta dinë se janë të keqinformuara nga sorrat dhe korbat, të cilët hiqen si dashamirës të mjedisit, si gjethe fiku, për të nxitur një protestë që nuk ka asgjë të bëjë me mjedisin,” shkroi Rama në Facebook.
Një thirrje e përbashkët e protestuesve është “Rama në burg, Berisha në burg”. Publikisht, të dy politikanët janë armiq të betuar dhe Berisha ka shprehur mbështetje për protestat kundër Ramës – por pas dekadash në politikë, lideri i opozitës shihet si bashkëfajtor për gjendjen e vendit.
“Për ta ndërlikuar edhe më shumë situatën, SPAK ka nisur hetimet për aferat e pronave që lidhen me këtë investim, pas denoncimeve për tjetërsim tokash, falsifikim të titujve të pronësisë dhe parregullsi të tjera. Gjithashtu, Rama është vendosur në qendër të kritikave – përfshirë këtu edhe nga Parlamenti Evropian – për shkak të heqjes së kufizimeve mjedisore në atë zonë, një lëvizje kjo që i hap rrugën turizmit të luksit, pikërisht sipas kërkesave të investitorëve.”
Rama i ka quajtur kritikët të gabuar, duke pretenduar se cilësia e mjedisit në të vërtetë do të përmirësohet si rezultat i këtij investimi./ Financial Times
