Protestat në SHBA përshkallëzohen pas vrasjes së 37-vjeçares nga agjenti amerikan
Protesta masive kundër autoriteteve të emigracionit janë mbajtur në Portland dhe në Minneapolis të Shteteve të Bashkuara. Tensionet janë përshkallëzuar pas vrasjes së 37-vjeçares Renee Good, e cila u qëllua për vdekje të mërkurën në automjetin e saj nga një agjent federal i imigracionit.
Protestuesit e mbledhur në parkun Elizabeth Caruthers në Portland kërkuan që t’u jepet fund operacioneve të autoriteteve antiemigracion në qytet. Kërkesë të njëjtë shprehën edhe protestuesit në Minneapolis.
Tensionet lidhur me politikat amerikane kundër emigracionit u rritën pasi, vetëm një ditë pas vrasjes së Good, një oficer federal kufitar qëlloi dhe plagosi një burrë dhe një grua në një automjet. Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare i identifikoi ata si shtetas të Venezuelës.
Që atëherë, shpërthyen protesta në qytete, teksa të tjera janë paralajmëruar edhe për të shtunën vonë dhe të dielën. Vrasja dhe plagosjet ndodhën gjatë një operacioni të nisur nga agjentët e ICE kundër emigrantëve pa dokumente.
