Protesta e PD para Kryeministrisë: Policia harton plan masash
Policia e Tiranës ka bërë publike masat e sigurisë dhe rendit që do të merren gjatë tubimit të Partisë Demokratike, i cili zhvillohet për të dytën javë radhazi para Kryeministrisë.
Sipas njoftimit, fillimisht, nga ora 14:00, nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në disa akse kyçe. Këto përfshijnë bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, sheshin “Nënë Tereza”, rrugën “Ismail Qemali”, kryqëzimin e Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rrugën “Papa Gjon Pali II”, si dhe bulevardet “Zhan D’Ark” dhe “Bajram Curri”.
Më pas, nga ora 15:00 deri në përfundim të aktivitetit, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”. Gjithashtu, do të ketë bllokim në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Njoftimi i plotë i Policisë së Tiranës sqaron se, në zbatim të ligjit “Për tubimet”, janë marrë masat e nevojshme për garantimin e rendit dhe mbarëvajtjes së tubimit të Partisë Demokratike, që do të zhvillohet sot nga ora 18:00 deri në 20:00 para Kryeministrisë.
Parashikohet që, në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, Policia e Tiranës ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative, për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve.
Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të shmangin përdorimin e automjeteve në akset rrugore ku do të ketë bllokim dhe të orientohen drejt rrugëve alternative, në mënyrë që të mos pengohet lëvizja e lirë e pjesëmarrësve në tubim.
