Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe partia më e madhe në Kosovë, Vetëvendosje, kanë shkëmbyer akuza përpara një proteste të veteranëve të UÇK-së që do të mbahet në Tiranë kundër Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.
Grindja filloi kur Vetëvendosja riafirmoi kundërshtimin e saj ndaj gjykatës së Hagës dhe mbështetjen për protestën e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Tiranë, duke akuzuar shumë politikanë, përfshirë Ramën, se dikur e kanë mbështetur atë.
Vetëvendosja deklaroi në Facebook: “Para se të protestojnë, këta aktorë dhe politikanë duhet të tregojnë të paktën një minimum pendese për qëndrimet e tyre të gabuara në të kaluarën. Një shembull i qartë është vet Kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, i cili madje kishte ardhur në Kosovë në vizitë emergjente me helikopter për të bindur palët këtu që të votonin pro themelimit të kësaj Gjykate”.
Rama, i cili ka një marrëdhënie të tensionuar me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, u kundërpërgjigj në platformën X, duke theksuar se ai e ka dënuar vazhdimisht arrestimin për krime lufte të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Ai shtoi se një dekadë më parë, Vetëvendosja “as që e njihte himnin kombëtar të Kosovës, e lëre më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte (të qëndronte) në Hagë përgjithmonë”. Thaçi ishte kryetari i një partie rivale të Vetëvendosjes.
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës akuzoi Vetëvendosjen se po përpiqet ta “politikizojë” protestën e së premtes në Tiranë, e cila është pjesë e tubimeve kundër Dhomave të Specializuara dhe në mbështetje të lirimit të Thaçit dhe tre të akuzuarve të tjerë.
“Kjo protestë nuk është e asnjë partie politike – ajo është zëri i popullit shqiptar, zëri i veteranëve, i familjeve të dëshmorëve dhe i të gjithë atyre që nuk pajtohen me padrejtësinë që po bëhet ndaj udhëheqësve të UÇK-së në Hagë,” shkroi Organizata e Veteranëve të Luftës në Facebook. Ata gjithashtu shtuan se veteranët “po kërkojnë drejtësi për luftëtarët tanë – dhe ndëshkim për krimet e Serbisë”.
Thaçi u akuzua në tetor 2020 dhe dha dorëheqjen si President i Kosovës në nëntor të po atij viti për t’u përballur me akuzat. Ai u dërgua në Hagë së bashku me ish-kryetarët e Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe me ish-deputetin Rexhep Selimi. Të katërt janë mbajtur në paraburgim dhe akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës së Kosovës. Të gjithë janë vetëdeklaruar të pafajshëm.
Dhomat e Specializuara të Kosovës, me staf ndërkombëtar dhe seli në Hagë, synojnë të sigurojnë një proces të drejt pas problemeve të mëparshme me kanosjen e dëshmitarëve në rastet e lidhura me UÇK-në. Shumë shqiptarë etnikë dhe mbështetës të UÇK-së e konsiderojnë gjykatën të njëanshme, pasi akuzon vetëm luftëtarë kosovarë, ndërkohë që shumë krime serbe mbeten të pandëshkuara.
Shumica e partive në Kosovë, përfshirë presidenten Vjosa Osmani, e mbështesin protestën e së premtes, duke theksuar luftën e drejtë të UÇK-së për liri.
Ka pasur spekulime për pjesëmarrjen e Ramës në protestë. Ai sqaroi se do të kishte marrë pjesë “si një pjesëmarrës i thjeshtë”, por nuk mund ta bëjë këtë pasi rreziku i politizimit të protestës “do të dëmtonte qëllimin dhe popullaritetin e saj.”