Protestat prekin transportin urban, Shoqata i dërgon letër Bashkisë së Tiranës për njohjen e kompensimit
Prej 14 ditësh, Tirana është përfshirë nga protesta masive qytetare, të cilat zhvillohen në orët e pasdites dhe përfundojnë me marshime në rrugët pranë qendrës gjatë natës.
Për transportin publik në kryeqytet, zhvillimi i protestave ka sjellë një efekt domino. Në disa linja urbane është vërejtur një rritje e ndjeshme e numrit të udhëtarëve, sidomos në orët e vona të mbrëmjes.
Një faturino i linjës Qendër–Porcelan pohon: “Prej 20 vitesh në shërbimin e transportit publik nuk kishte ndodhur kurrë një fluks kaq i lartë pasagjerësh në orët 22:00 dhe 23:00. Është hera e parë që shoh një frekuentim të tillë të lartë. Kjo rritje ka ardhur për shkak të protestave.”
Megjithatë, pavarësisht rritjes së numrit të pasagjerëve, bllokimet e trafikut dhe devijimet e shpeshta të itinerareve kanë ulur numrin e kilometrave të përshkuar nga autobusët. Kjo situatë pritet të ndikojë drejtpërdrejt te të ardhurat e operatorëve, pasi kompensimi për performancën, që operatorët përfitojnë nga Bashkia e Tiranës, llogaritet mbi bazën e kilometrave të realizuara në shërbim. Si pasojë, sa më pak kilometra të përshkruhen, aq më i ulët është kompensimi që përfitojnë operatorët.
Transporti publik në Tiranë operon me financim nga Bashkia e Tiranës, përmes subvencioneve, si dhe me financim nga kompani private.
Kostandin Foni, kryetar i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas, shpjegon se Bashkia e Tiranës jep kompensim për transportin urban bazuar në itinerarin dhe kilometrat e përshkruara. Konkretisht, nëse operatorët kanë përshkuar 94% deri në 96% të kilometrave të përcaktuara, ata përfitojnë kompensim prej 0.9 lekë për çdo biletë të shitur. Nëse kanë përshkruar 92% deri në 94% të itinerarit, masa e kompensimit është 0.8 lekë për biletë. Për 90% deri në 92% të itinerarit, kompensimi për biletë është 0.7 lekë.
Për shkak të protestave, shumë akse rrugore në Tiranë kanë qenë të bllokuara, duke detyruar devijimin e itinerareve të linjave si Unaza e Vogël, Tirana e Re, TEG, Kristal, etj.
Në këtë situatë, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas i ka dërguar një letër Bashkisë së Tiranës, ku kërkon që gjatë kësaj periudhe të merren në konsideratë kushtet e krijuara nga protestat për vlerësimin e performancës së operatorëve.
Në letër thuhet: “Si pasojë e protestave të zhvilluara në territorin e Bashkisë Tiranë, të cilat kanë sjellë bllokime dhe devijime të vazhdueshme të akseve kryesore rrugore. Për shkak të këtyre kufizimeve të qarkullimit, operatorët e transportit publik qytetas janë detyruar të ndryshojnë itineraret e linjave, të devijojnë nga rrugët e miratuara dhe në shumë raste të mos kenë mundësi të realizojnë plotësisht kilometrat e planifikuara sipas kontratave dhe detyrimeve të përcaktuara nga Bashkia Tiranë. Kërkojmë që kilometrat e parealizuara si pasojë e rrethanave të njihen dhe të konsiderohen si kilometra të realizuara, për efekt të vlerësimit të performancës dhe detyrimeve kontraktore të operatorëve.”
Në total, në kryeqytet operojnë rreth 50 linja autobusësh, me një flotë prej 200 autobusësh.
Letra e plotë:
“Shoqata e Transportit Publik Qytetas dëshiron të sjellë në vëmendjen tuaj situatën e krijuar gjatë javës së fundit dhe në vijim, si pasojë e protestave të zhvilluara në territorin e Bashkisë Tiranë, të cilat kanë sjellë bllokime dhe devijime të vazhdueshme të akseve kryesore rrugore. Për shkak të këtyre kufizimeve të qarkullimit, operatorët e transportit publik qytetas janë detyruar të ndryshojnë itineraret e linjave, të devijojnë nga rrugët e miratuara dhe në shumë raste të mos kenë mundësi të realizojnë plotësisht kilometrat e planifikuara sipas kontratave dhe detyrimeve të përcaktuara nga Bashkia Tiranë.
Theksojmë se kjo situatë nuk ka ardhur si pasojë e neglizhencës apo mosangazhimit të operatorëve, por për shkak të rrethanave objektive dhe të pavarura nga vullneti i tyre. Pavarësisht vështirësive, operatorët kanë vijuar të ofrojnë shërbimin e transportit publik në masën më të madhe të mundshme, duke garantuar lëvizjen e qytetarëve dhe funksionimin e rrjetit të transportit.
Kështu, kërkojmë që në vlerësimin e performancës së operatorëve për periudhën e javës së kaluar dhe ditët në vijim, të merren në konsideratë kushtet e jashtëzakonshme të krijuara nga protestat, devijimet dhe bllokimet e akseve rrugore. Konkretisht, kërkojmë që kilometrat e parealizuara si pasojë e këtyre rrethanave të njihen dhe të konsiderohen si kilometra të realizuara për efekt të vlerësimit të performancës dhe detyrimeve kontraktore të operatorëve.
Jemi të bindur se Bashkia Tiranë do të vlerësojë me objektivitet këtë situatë të jashtëzakonshme dhe do të marrë në konsideratë ndikimin real që ajo ka pasur në aktivitetin e operatorëve të transportit publik qytetas.”
