“O me Belinda Ballukun, o me BE”: Policia shoqëron protestues të Lëvizjes Bashkë te Samiti i Diasporës
Disa aktivistë të Lëvizjes Bashkë janë përplasur të martën, 14 prill, me policinë teksa po protestonin para Pallatit të Kongreseve, ku po mbahet Samiti i IV për Diasporën. Ata mbanin një banderolë me mbishkrimin “O me Belindën, o me BE”, duke iu referuar mbrojtjes që sipas tyre socialistët i bënë ish-zv.kryeministres dhe ministres në Kuvend, duke mos i hequr imunitetin e deputetes.
Lëvizja Bashkë, në një reagim, shprehet se aktivistët u përballën me forcë policore dhe se pesë prej tyre u shoqëruan në komisariat. Lëvizja thekson se qeveria nuk mund të flasë për integrim në BE, ndërkohë që nga ana tjetër, bllokon drejtësinë në luftën e saj kundër korrupsionit.
“Rruga drejt Bashkimi Evropian kalon nga lufta kundër korrupsionit, jo nga mbrojtja e tij. Me Belinda Balluku dhe modelin që ajo përfaqëson, Shqipëria nuk afrohet me Evropën, por largohet prej saj!”, thuhet mes të tjerash në reagimin e Lëvizjes Bashkë.
Ata shtojnë: “Aktivistët u përballën me forcë policore dhe 5 prej tyre u shoqëruan në Komisariatin nr. 1. Kjo është fytyra reale e një qeverie që flet për Evropë, por sillet si regjim që shtyp çdo zë kundërshtimi.”
Reagimi i plotë i Lëvizjes Bashkë:
- “O ME BELINDA BALLUKUN, O ME BASHKIMIN EVROPIAN! Sot, para Pallatit të Kongreseve, aktivistët e Lëvizjes BASHKË ngritën një banderolë kundër hipokrizisë së pushtetit, ndërkohë që brenda zhvillohej spektakli propagandistik i radhës nga Edi Rama dhe Partia Socialiste për diasporën.
- Aktivistët u përballën me forcë policore dhe 5 prej tyre u shoqëruan në Komisariatin nr. 1. Kjo është fytyra reale e një qeverie që flet për Evropë, por sillet si regjim që shtyp çdo zë kundërshtimi.
- Nuk mund të flasin për diasporën ata që e prodhojnë atë çdo ditë. Nuk mund të kërkosh votën e emigrantëve, kur politikat e tua i kanë detyruar të largohen. Nuk mund të flasësh për Bashkimin Evropian, kur në praktikë dhunon të drejtat themelore në vendin tënd.
- Çdo vit që kjo qeveri qëndron në pushtet, Shqipëria humbet dhjetëra mijëra qytetarë. Ata ikin jo për aventurë, por për mbijetesë. Ikin nga varfëria, nga padrejtësia, nga një sistem që u mbyll çdo derë.
- Ndërkohë, në vend të zhvillimit dhe shpresës, kemi një shtet që u shërben një grushti oligarkësh dhe një propagandë që përpiqet të fshehë realitetin. Sot, në rrugë u tha e vërteta dhe për këtë, pushteti reagoi me dhunë. Por historia ka treguar se asnjë propagandë nuk e mbulon dot realitetin, dhe asnjë pushtet nuk është i përjetshëm.
- Rruga drejt Bashkimi Evropian kalon nga lufta kundër korrupsionit, jo nga mbrojtja e tij. Me Belinda Balluku dhe modelin që ajo përfaqëson, Shqipëria nuk afrohet me Evropën, por largohet prej saj!
