Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së/ Sot protestohet në Strasburg
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka paralajmëruar një protestë sot në Strasburg, ku pritet të marrin pjesë rreth 6 mijë persona.
Ky tubim do të mbahet përballë Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, në shenjë mbështetjeje për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët po gjykohen në Hagë.
Ish-krerët e UÇK-së ndodhen prej 5 vitesh të arrestuar në Gjykatën Speciale në Hagë, ndërsa procesi ndaj tyre ka nisur që në vitin 2023.
Hashim Thaçi ishte udhëheqës politik i UÇK-së para dhe gjatë luftës së viteve 1998-1999. Kadri Veseli drejtoi shërbimin e inteligjencës, Jakup Krasniqi ishte zëdhënës, ndërsa Rexhep Selimi ishte anëtar i shtabit të përgjithshëm.
Ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së janë ngritur akuza për vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë, burgosje të paligjshme, torturë dhe persekutim të qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime.
Këto krime dyshohet se kanë ndodhur midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në vende të ndryshme në Kosovë, por edhe në veri të Shqipërisë.
Sipas Dhomave të Specializuara, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mbajnë përgjegjësi penale personale për këto krime, por të gjithë ata janë deklaruar të pafajshëm.
