Protestë pensionistësh kundër qeverisë

Protesta e pensionistëve para Kuvendit/ Arlind Qori: Rama-Berisha në konsensus!

Pensionistë dhe mbështetës të Lëvizjes Bashkë u mblodhën para parlamentit në protestë për rritjen e pensioneve, ndërkohë që në sallë diskutohej për kërkesën për dorëheqje të ministrit. Pensionistët i kujtuan kryeministrit Rama premtimin për rritjen e pensionit mesatar në 400 euro. Ndërkohë, kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, deklaroi se kjo qeveri di vetëm t’i vjedhë njerëzit e ndershëm.

“Kjo qeveri dhe ky shtet, për punëtorët, për njerëzit e punës, për njerëzit e ndershëm, nuk ka as sy, nuk ka as veshë, nuk ka as gojë, por ka vetëm duar për të vjedhur. Ka vetëm duar për të vjedhur hakun e punës, për të vjedhur pensionet, për të vjedhur të drejtat elementare, prandaj ne na duhet të bashkohemi që të kërkojmë mbrapsht çdo gjë që na takon”.

Ai shtoi se ky institucion, dy vite e gjysmë më parë, rriti me 100%, si në asnjë vend tjetër të botës dhe në asnjë kohë të historisë njerëzore, pagat e veta, me konsensus 100% me votat e Edi Ramës dhe Sali Berishës. “Kanë rritur me 100% pagat e deputetëve, pagat e ministrave, pagën e kryeministrit, pagën e presidentit të republikës”, tha Qori.

Kreu i Lëvizjes Bashkë denoncoi edhe sinjalet e dy partive kryesore, të drejtuara nga Edi Rama dhe Sali Berisha, për një konsensus të ri që paralajmëron uljen e numrit të deputetëve dhe mbylljen e hapësirave për partitë e reja.

“Këto parti kanë arritur konsensus prapë 100% ditët e fundit, sepse kanë frikë nga Lëvizja Bashkë, kanë frikë nga një parti e re dhe e fuqishme si Lëvizja Bashkë dhe kujtojnë të shkretët se nëpërmjet sajesave ligjore do të na përjashtojnë nga jeta parlamentare e vendit. Por unë e shoh përditë se Lëvizja Bashkë fuqizohet çdo ditë dhe ne do të marrim pjesë në jetën parlamentare dhe do të përfaqësojmë popullin shqiptar”, tha Qori.

Scroll to Top