Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka njoftuar se Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të marrë pjesë në protestën mbarëkombëtare që do të mbahet më 17 tetor në orën 17:00 në Tiranë. Protesta synon të bëjë thirrje për një gjykim të drejtë në Hagë të krerëve të UÇK-së.
Hysni Gucati, kryetar i OVL-UÇK, ka bërë të ditur në një konferencë për media se gjatë protestës do të mbajnë fjalë ish-presidenti shqiptar Alfred Moisiu dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Po ashtu, ai tregoi se nga Kosova drejt Tiranës do të nisen 60 autobusë.
Një protestë e ngjashme u zhvillua edhe në Hagë më 14 shtator në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara. Në Gjykatën Speciale në Hagë po zhvillohet procesi kryesor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi. Ata janë akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që të katërt i kanë mohuar.