Protestë Vlorë: Qytetarët kundër mungesës së ujit dhe shërbimeve

Protestë në Vlorë/ Qytetarja: Mirë që nuk na sigurojnë kimioterapinë, por nuk kemi as ujë

Banorë të shumtë janë mbledhur paraditen e kësaj të hëne para ambienteve të Bashkisë së Vlorës për të kërkuar një zgjidhje lidhur me mungesën e ujit, me të cilën po përballen prej katër ditësh.

Mes protestuesve ka qenë edhe një shtetase, e cila aktualisht po përballet me një tjetër sfidë, atë të luftës me një sëmundje të rëndë. Mes lotësh ajo ka theksuar se përveç faktit që shteti nuk garanton trajtime të specializuara shëndetësore si kimioterapia brenda vendit, qytetarët detyrohen të përballen edhe me mungesën e ujit në një situatë tashmë të rënduar.

Sipas saj, kjo gjendje është e papranueshme dhe nuk mund të tolerohet më. Ajo ka shprehur zhgënjim edhe për indiferencën e disa qytetarëve, të cilët e ndjekin protestën nga kafetë pa u përfshirë.

“Unë po dal në protestë sot. Mirë që shteti nuk na i mundëson kimioterapitë në vendin tonë, por duhet të vijmë të përballemi këtu edhe me mungesën e ujit në situatën që jemi. Kjo është e papranueshme, nuk mund të tolerohet, sidomos edhe për vlonjatët që po na shohin nga kafetë. Nuk jemi as me PD as me PS, jemi për të drejtën tonë këtu,” tha ajo.

“Unë kam një muaj që jam kthyer në vendin tim, sepse isha në Itali për kimioterapi. Nuk kemi fare ujë në shtëpi, jemi munduar me bidona, por është e pamundur. U bëj thirrje gjithë vlonjatëve të vijnë këtu, sehir mund të bëjnë të gjithë nga shtëpia,” shtoi ajo, ndërkohë që gazetari nuk ka mundur të mbajë lotët.

Scroll to Top