Protestuesit largohen nga Kryeministria pas konfrontimit me policinë

Pas konfrontimit me policinë, protestuesit e udhëhequr nga Lapaj u zhvendosën pranë Kryesisë së Kuvendit

Lëvizja “Shqipëria Bëhet” u largua me forcë nga sheshi para Kryeministrisë, ku prej një jave protestonin duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë “Rama”. Kërkesa e tyre vjen pas skandalit abuziv me tenderin e tunelit të Llogarasë, ku zv/kryeministrja Belinda Balluku është marrë e pandehur nga SPAK dhe është vënë nën masë sigurie nga GJKKO, duke u pezulluar nga detyra dhe bllokuar pasaportën.

Megjithatë, kryetari i lëvizjes, Adriatik Lapaj, dhe mbështetësit e tij nuk u dorëzuan. Ata u zhvendosën disa metra më tutje, në anën tjetër të Bulevardit, pranë Kryesisë së Kuvendit. Atje u grumbulluan në rreth, ndezën stufat e vegla për t’u ngrohur dhe përdorën batanije për shkak të të ftohtit.

Zhvendosja ndodhi pasi Policia ndërhyri duke krijuar një kordon sigurie, një orë para fillimit të tubimit të Partisë Demokratike dhe liderit të saj, Sali Berisha, të cilët gjithashtu kërkojnë dorëheqjen e qeverisë pas skandalit “Balluku”.

Gjatë ndërhyrjes policore, mbështetësit e Lapajt dhe vetë ai patën konfrontime me efektivët. U pretendua gjithashtu se një protestues u lëndua.

Lapaj bëri humor në lidhje me policinë, duke thënë se ata ishin të pajisur mirë me “portokalle, batanije e shishe uji si raketa” për të sulmuar Kryeministrinë. Ai shtoi se për këtë arsye u larguan, duke u mohuar tani edhe të drejtën e protestës.

Scroll to Top