Analiza: Cilat janë pikat e marrëveshjes për paqen që mund të pranojë Putin?
Propozimi i presidentit amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë ka sjellë një qasje pozitive, duke ofruar njëfarë lehtësimi për zyrtarët ukrainas dhe evropianë, megjithëse situata mbetet ende e paqartë.
Pyetja kryesore që shtrohet tani është se sa i gatshëm do të jetë presidenti rus Vladimir Putin për të pranuar një marrëveshje. Sipas analistëve të huaj, përgjigja në këtë çështje do të përcaktojë ecurinë e situatës në vijim.
Putin duket i gatshëm të vazhdojë luftën. Pavarësisht humbjeve të mëdha dhe dëmeve ekonomike, ai beson se Ukraina po tërhiqet, edhe pse nga ana tjetër Rusia po humbet terren.
Kërkesat e Moskës
Cilat janë kërkesat e Moskës? Putin dëshiron:
- Një ngrirje të zgjerimit të NATO-s në lindje.
- Kufizime në aftësinë ushtarake të Kievit.
- Mbrojtje të veçantë për gjuhën ruse dhe Kishën Ortodokse.
- Kontroll mbi të gjithë rajonin e Donetskut dhe Luhanskut.
As zonat neutrale apo skenarët “gri” nuk duket se janë të mjaftueshëm. Për Moskën, këto pika janë themelore dhe të panegociueshme.
Roli i BE dhe SHBA-së
Në këtë kontekst, Bashkimi Europian ka theksuar vazhdimisht se mbështetja për Ukrainën nuk do të ndalet. Më parë, një plan prej 28 pikash i propozuar nga SHBA përmbante pika që i jepnin Rusisë të drejtën e fjalës në sigurinë evropiane, por europianët reaguan menjëherë dhe amerikanët u detyruan t’i zhvendosnin ato në një tryezë tjetër.
Pikat që Putin nuk do t’i pranojë
Sipas mediave ndërkombëtare, edhe plani që u konsiderua “pro-rus” tejkalon disa nga kufizimet e Putinit. Kufijtë për ushtrinë ukrainase janë më bujarë se kërkesat ruse të vitit 2022, nuk kufizojnë pajisjet e Kievit dhe propozojnë përdorimin e fondeve të ngrira ruse në Perëndim për rindërtimin e Ukrainës. Për Kremlinin, këto janë “vija të kuqe”.
Siç është shprehur qartë Yuri Ushakov, “shumë gjëra janë të pranueshme, por jo gjithçka”.
“Loja” Trump-Putin
Steve Witkoff kthehet në Moskë, ndërsa Sekretari i Ushtrisë i SHBA-së, Daniel Driscoll, takohet me ukrainasit. Putin dëshiron të ndërtojë një marrëdhënie më bashkëpunuese me Trump, duke synuar lehtësimin e sanksioneve, hapjen ekonomike dhe përfitime gjeostrategjike. Megjithatë, ai nuk do të negociojë për thelbin e luftës.
Rusia po përballet me sulme ukrainase ndaj objekteve të naftës dhe ushtarake. Trump më herët kishte kërcënuar të përdorte raketa Tomahawk.
Kremlini mund të mos dëshirojë as një marrëveshje tani. Ukraina ndihet sikur është “me shpinë pas murit” gjatë gjithë kohës, ndërsa Perëndimi, dhe konkretisht Europa, vazhdon të pyesë veten nëse iniciativa e ardhshme do të jetë e njëjtë, me një ngritje të shpejtë, një rënie po aq të shpejtë dhe gjithmonë të qëndruar në të njëjtin vend, pa dhënë më një zgjidhje.
Kjo luftë, kudo që të përfundojë, do të ketë ndryshuar ndjeshëm jo vetëm Ukrainën, por edhe të gjithë botën, dhe jo në mënyrë njëdimensionale.
