Putin: Nuk kërkojmë luftë, por nëse Evropa dëshiron, jemi gati!
Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se Rusia nuk kërkon një luftë me Evropën, por paralajmëroi se “nëse Evropa dëshiron të luftojë, ne jemi gati tani.”
Gjatë një serie deklaratash për gazetarët para takimit të tij me përfaqësuesit e Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, në Kremlin, Putin akuzoi qeveritë evropiane për sabotimin e procesit të paqes dhe theksoi se “kërkesat evropiane nuk janë të pranueshme për Rusinë.”
“Evropa po e pengon administratën amerikane të arrijë paqe në Ukrainë,” tha ai, pa dhënë sqarime specifike për kërkesat evropiane të cilat konsideronte të papranueshme.
Këto komente duket se synojnë të krijojnë një përçarje midis Uashingtonit dhe kryeqyteteve evropiane. Vendet evropiane kanë mbështetur Kievin në propozimin e rishikimeve të një plani paqeje me 28 nene, i cili kishte dalë nga bisedimet e mëparshme SHBA-Rusi dhe favorizonte dukshëm Moskën.
Lideri rus gjithashtu kërcënoi me kundërsulme ndaj porteve dhe anijeve të Ukrainës, pas sulmeve të fundit të Kievit ndaj disa anijeve të “flotës së errët” të Rusisë në Detin e Zi. Putin paralajmëroi se Rusia do të “intensifikojë goditjet ndaj porteve ukrainase dhe ndaj çdo anijeje që hyn në to” si përgjigje ndaj sulmeve ndaj tankerëve rusë, të cilat ai i cilësoi si “pirateri.”
Ai refuzoi sërish propozimet evropiane si “të papranueshme për Rusinë,” duke akuzuar udhëheqësit evropianë se po “pengojnë” propozimet amerikane dhe se “nuk kanë një agjendë paqësore.”
