Bllokohet përsëri rruga në Qafë Thore, shkak bora e madhe
Rritja e temperaturave dhe ndikimi i rrezeve të diellit në shpatin malor kanë sjellë riaktivizimin e rënies së ortekëve në zonën e tuneleve panoramike në Qafë Thore. Si pasojë, është bllokuar një segment rrugor me gjatësi rreth 5.5 km.
Ndërhyrja për pastrimin e rrugës paraqitet e rrezikshme deri në stabilizimin e borës në shpatin malor. Për shkak të rrezikut të lartë, qarkullimi në Qafë Thore është ndërprerë për të gjitha llojet e automjeteve deri në një njoftim të dytë.
Ndërkohë, probleme me bllokimin e rrugëve raportohen edhe në disa zona të Bashkisë Kukës. Rrugët drejt fshatrave Cërnalevë, Oreshkë dhe Borje janë bllokuar prej disa ditësh për shkak të shkarjeve masive të dherave, të shkaktuara nga reshjet e shiut dhe dëborës.
Banorët shprehin shqetësim se mund të dëmtohen tubat e hidrocentralit që kalojnë mbi disa shtëpi në rrugën Prisuj. Situata paraqitet e rrezikshme për disa familje në fshatin Cërnalevë, ku dherat janë afruar shumë pranë banesave. Rrëshqitja e dheut ka ndodhur rreth 15 metra poshtë tubave të hidrocentralit. Banorët theksojnë se një situatë e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë. Burimi ku janë vendosur tubat ka ndryshuar drejtimin e ujit, duke shkaktuar edhe rrëshqitjen e dheut.
Si pasojë e prurjeve të shumta të ujit nga reshjet e shiut dhe dëborës të javës së kaluar, janë shfaqur shkarje masive dherash. Këto shkarje po afrohen rrezikshëm pranë banesave, duke përbërë kërcënim serioz për sigurinë e banorëve. Ata kanë kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet.
