Rama: Nuk po lutemi të hyjmë në BE, po dëshmojmë se jemi gati
Në Pallatin e Brigadave ka nisur punimet samiti “Plani i rritjes Rruga jonë drejt BE”, ku marrin pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor dhe Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos.
Kryeministri Rama u shpreh se rajoni po kërkon të rritet bashkë me Evropën dhe jo në kurriz të saj. Sipas tij, Ballkani Perëndimor nuk po lutet për t’u anëtarësuar në BE, por po dëshmon çdo ditë se e meriton të jetë pjesë e Unionit.
“Rajoni nuk ka ndërmarrë asnjëherë reforma në këtë shkallë në kuadër të planit të rritjes. Janë 490 milionë euro të alokuara që prekin financat publike, energjinë dhe të gjitha fushat, me reforma transformuese. Ndërtimi i arterieve të Evropës në Korridorin 8 është kritik edhe për sigurinë në Evropë dhe është kthyer në korridor sigurie për NATO. Ky është një rajon që kërkon të rritet bashkë me Evropën dhe jo në kurriz të saj. Evropa është diçka që po e ndërtojmë. Ballkani Perëndimor nuk kërkon nderime, secili vjen me krenarinë për të ofruar vlerë. Ne nuk po lutemi të hyjmë në BE, po provojmë çdo ditë se jemi gati”, tha Rama.
