Rama-Balluku kundër vendimit të GJKKO, çfarë kërkojnë në Gjykatën Kushtetuese
Kryeministria ka depozituar këtë të premte një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së Belinda Ballukut, vendim i marrë nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Sipas dokumentit të dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, qeveria kërkon:
- Shfuqizimin e vendimit nr. 118, datë 19.11.2025, të GJKKO-së, për pjesën që ka vendosur masën ndaluese ndaj Ballukut.
- Pezullimin e këtij vendimi deri në përfundimin e shqyrtimit të kësaj kërkese nga Gjykata Kushtetuese.
- Interpretimin e pikës 3, të nenit 103, të Kushtetutës, i cili përcakton kompetencat e Kryeministrit dhe të Këshillit të Ministrave.
Dokumenti i dorëzuar nga Kryeministria sqaron kërkesën e saj dhe kërkon një përgjigje ligjore nga Gjykata Kushtetuese për të vendosur nëse vendimi i GJKKO-së mbetet në fuqi ose pezullohet deri në përfundimin e shqyrtimit.
Relator i çështjes në Gjykatën Kushtetuese do të jetë gjyqtari Sandër Beci.
