Kryeministri Rama: Para anëtarësimit në BE, sfidë kryesore për bashkitë mbetet digjitalizimi
Kryeministri Edi Rama deklaroi se para anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, bashkitë do të përballen me disa sfida, mes të cilave theksoi digjitalizimin e shërbimeve dhe forcimin e kapaciteteve njerëzore.
Gjatë prezantimit të projektit “EU4Municipalities II”, një program i mbështetur nga Bashkimi Europian me një fond prej 11 milionë euro në fazën e parë, i cili synon forcimin e pushtetit vendor në Shqipëri dhe mbështetjen e procesit të integrimit europian, kryeministri Rama theksoi rëndësinë e këtij programi për Shqipërinë.
Ai shtoi se procesi i integrimit europian kërkon jo vetëm avancimin e reformave në nivel qendror, por edhe një rol më të fuqishëm, aktiv dhe të koordinuar të pushtetit vendor.
“Ky program lidhet me modernizimin e institucioneve tona vendore dhe mundësinë që, përmes tij, institucionet të rrisin kapacitetet e tyre njerëzore, që janë problemi më i mprehtë i kësaj kohe dhe i kohëve që vijnë, në rast se nuk fokusohemi me të gjithë forcën sot tek adresimi i tij,” tha Rama.
Ai nënvizoi se Bashkimi Europian dhe anëtarësimi në familjen europiane janë një bekim, por edhe një sfidë e madhe, veçanërisht në nivelin vendor, pasi konsolidimi i qeverisjes vendore është pjesë e pandashme dhe e patjetërsueshme e marrëdhënieve mes BE-së dhe një vendi anëtar.
“Një pjesë e konsiderueshme e mbështetjes europiane për vendet anëtare lidhet me mbështetjen në nivelin vendor, dhe një sfidë e konsiderueshme për vendet anëtare është aftësia për të thithur këtë mbështetje përmes dijes se si ta bëjnë këtë. Në këtë pikë, ky program është kyç,” u shpreh kryeministri.
Ai shtoi se 11 milionë eurot nuk janë thjesht një shumë, por një instrument i ndërtuar në mënyrë që t’i bëjë të gjitha bashkitë jo vetëm të interesuara, por edhe plotësisht të angazhuara për të pasur akses në të.
Rama e përmbylli duke theksuar se një komponent gjithnjë e më strategjik në qeverisjet e vendeve, që ka peshë të madhe në qeverisjen qendrore, por është shumë i dobët në nivelin vendor, është digjitalizimi.
“Kemi një diferencë të papranueshme dhe të pajustifikueshme mes peshës që ka digjitalizimi në nivelin qendror dhe në shërbimet publike qendrore, dhe peshës që ka në nivelin vendor dhe në shërbimet vendore,” theksoi ai, duke shtuar se do të punohet për adresimin e këtij problemi në bashkëpunim me ministrin, përfaqësinë e BE-së dhe partnerët gjermanë.
Duke iu drejtuar drejtpërsëdrejti kryetarëve të Bashkive, Rama i nxiti ata që ta përdorin këtë projekt si një mundësi për të krijuar eksperiencë, për të fuqizuar kapitalin njerëzor dhe për të përgatitur më mirë brenda bashkive bërthamat e vogla të ngritura për projekte dhe financime nga BE.
Ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato, theksoi se programi sjell përfitime të prekshme në nivel vendor, pasi politikat shndërrohen në përmirësime reale. Ai shtoi se 70% e direktivave dhe rregulloreve të BE do të vihen në zbatim në bashki, prandaj ato janë kaq të rëndësishme.
“Rrugëtimi europian i Shqipërisë duhet të përqafohet dhe përjetohet në çdo bashki të Shqipërisë. Programi synon që qeveria vendore të mos jetë thjesht vëzhguese në proces, por aktive në të ardhmen europiane,” tha ambasadori.
Programi zbatohet nga GIZ në partneritet me rrjetin e shoqatave të autoriteteve vendore të Europës Juglindore dhe Shoqatën Kombëtare të Bashkive. Ai synon të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm të qeverisjes vendore, përmes investimeve në infrastrukturë, modernizimit të shërbimeve bashkiake dhe rritjes së kapaciteteve institucionale në shërbim të qytetarëve.
