Rama Komenton Protestën: “Tufa Sorrash dhe Laraskash Më Akuzojnë Mua Që Po Sulmoj Popullin”
Kryeministri Edi Rama, gjatë një videomesazhi, ka komentuar protestat e zhvilluara në Tiranë. Ai theksoi se demonstratat paqësore janë një element thelbësor i demokracisë dhe se qeveria respekton të drejtën e qytetarëve për të protestuar.
Megjithatë, ai dënoi ashpër çdo formë dhune, kërcënimi apo shantazhi. Kryeministri akuzoi një pjesë të protestuesve dhe të aktivizmit në rrjetet sociale se po përpiqen të imponojnë vullnetin e tyre përmes presionit.
Rama sqaroi se nuk paragjykon qytetarët që protestojnë paqësisht për kërkesa legjitime. Ai shtoi se qeveria po analizon çdo shqetësim të ngritur dhe do të reflektojë mbi mangësitë e saj.
“Protestat janë një burim energjie për demokracinë dhe respekti për institucionin e protestës, unë personalisht dhe kjo shumicë qeverisëse e kemi dëshmuar që në ditën e parë dhe e dëshmojmë gjithmonë. Por nuk ka asnjë shans që ne t’i nënshtrohemi dhunës, kërcënimeve, shantazheve apo koreve linçuese që të kujtojnë ato sheshet e mesjetës, me turmën që i gëzohej spektaklit të linçimit dhe vdekjes.”
Ai vijoi duke thënë se nuk ka asnjë mundësi që ai të pajtohet me idenë që në Shqipërinë e vitit 2026, qytetarët duhet të heshtin, artistët duhet të tërhiqen, apo sipërmarrjet duhet t’i paguajnë haraç një turme dhunuesish online. Sipas tij, këta të fundit, me verbërinë e tyre dhe me mbështetjen e shumë profileve false, kujtojnë gardat e kuqe apo gardistët e revolucionit kulturor në Kinë.
“Edhe një gjë me rëndësi në mbyllje. Angazhohen tufa sorrash dhe laraskash për të më akuzuar mua që po sulmoj popullin që paska dalë në shesh. Se po shaj rininë që qenka zgjuar. Se po akuzoj emigrantët që po kërkoj llogari dhe me radhë e me radhë. Por jo. Absolutisht jo.”
Kryeministri theksoi se ai ka bërë dallimin mes ditës së flamingos dhe natës së korbit dhe sorrës që nga fillimi. Ai u shpreh se kurrë nuk i ka paragjykuar qytetarët që dolën në protestë paqësisht, me bindjen se duan një Shqipëri më të mirë.
Ai listoi disa nga motivet e protestave:
- Të gjithë ata të rinj e të reja që dolën në protestë me bindjen se duan një mjedis më të mbrojtur.
- Ata familjarë që dolën në protestë për një shëndetësi më cilësore.
- Ata prindër që dolën në protestë për një arsim më të mirë.
- Ata burra e gra që dolën në protestë se duan një administratë më njerëzore.
Ai shtoi se kurrë nuk mund t’i paragjykoj njerëzit në përgjithësi se duan një shtet më të drejtë në tërësinë e vet, sepse edhe ai dëshiron pikërisht të njëjtat gjëra.
“Kur një vend përparon, pritshmëritë e njerëzve rriten më shpejt se vetë ritmi i përparimit. Rrugët më të mira i bëjnë gropat e mbetura më të padurueshme. Lufta frontale me korrupsionin që nuk ka ndodhur kurrë më parë, e bën korrupsionin ende më të padurueshëm. Shërbimet më të shpejta, si asnjëherë më parë, 95% online, e bëjnë çdo shërbim të prapambetur ende më të patolerueshëm. Kjo nuk është shenjë dështimi, është shenja më e qartë, më e sigurt që shoqëria kërkon gjithnjë e më shumë.”
Rama mbylli duke thënë se detyra e tyre nuk është t’i ulin pritshmëritë e qytetarëve, por të ngushtojnë hendekun mes asaj që kemi arritur dhe asaj që ata me të drejtë presin nga ne. Ai siguroi se po dëgjojnë me vëmendje çdo kërkesë dhe se një grup i mbledhur enkas po përpiqet të ndërtojë një reflektim mbi gabimet, të metat dhe boshllëqet tona. Këto do t’i komunikojnë hap pas hapi me njerëzit e ndershëm të këtij vendi që kërkojnë që rrugëtimi drejt Shqipërisë në shtëpinë evropiane të jetë më i shpejtë.
