Rama kritikon pezullimin e Ballukut nga GJKKO: Vendimi është absurd, Gjykata Kushtetuese duhet të marrë drejtimin
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me pezullimin nga detyra të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila aktualisht është nën hetim nga SPAK për çështje korruptive sa i përket tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Madhe të Tiranës.
Në podkastin e tij, “Flasim”, Rama, duke iu referuar Komisionit të Venecias dhe Gjykatës së Strasburgut, ka theksuar se një gjykatë nuk ka kompetencë të pezullojë një ministër. Sipas tij, në raste të tilla, një ministër mund të shkarkohet vetëm nga Kryeministri ose nëse vendimi penal është i formës së prerë.
Rama argumentoi se një vendim i tillë nga gjykata hap rrugë presioneve politike ndaj qeverisë, destabilizimit institucional dhe manipulimit të ekzekutivit përmes proceseve penale.
“Prandaj ministri ose rri në detyrë, ose largohet nga detyra me dorëheqje, nga Kryeministri, apo in extremis me dënim të formës së prerë sipas ligjit. Tjetër nuk ka. Prokuroritë e Gjykatat nuk hyjnë fare në këtë mes dhe nuk e bëjnë kurrësesi këtë. Asnjëherë. Askund në Europë”, tha Rama.
Duke iu referuar Komisionit të Venecias dhe Gjykatës Evropiane të Strasburgut, Rama shtoi se këto institucione e konsiderojnë cënim të balancës së pushteteve shkarkimin e një ministri.
“E nëse Shqipëria do të hynte në analet e historisë së drejtësisë europiane me një shpikje të tillë, kjo do të ishte, largqoftë, një shfaqje ulëritëse papjekurie demokratike dhe institucionale. Uroj që Gjykata Kushtetuese t’ia kursejë këtë shfaqje Shqipërisë”, u shpreh Rama.
Qëndrimi i Komisionit të Venecias dhe Gjykatës Europiane të Strasburgut:
Rama shpjegoi se Komisioni i Venecias ka një qëndrim të prerë: Gjykatat nuk duhet të pezullojnë anëtarë të qeverisë, pasi kjo cenon balancën e pushteteve dhe krijon mundësi për instrumentalizimin e drejtësisë. Ai përmendi konceptin e “judicial overreach” (shtrirja e krahut të gjyqësorit përtej kufirit ndarës me politikën), duke paralajmëruar se kjo mund të hapë rrugë për presione dhe manipulime.
Sipas Venecias, ministrat kanë funksione politike, jo administrative, dhe masat e pezullimit vlejnë për nëpunësit, jo për anëtarët e qeverisë. Pezullimi gjyqësor i një ministri konsiderohet si presion për shkarkimin e tij, duke paralizuar vendimmarrjen në sektorë kyç.
Komisioni i Venecias thekson se “Një prej parimeve të demokracisë parlamentare është që qeveria mund të shkarkohet vetëm nga organet politike, jo nga organet gjyqësore.”
Lidhur me Gjykatën Europiane të Strasburgut, Rama sqaroi se kjo gjykatë nuk është përballur kurrë me një rast specifik pezullimi të ministrit nga gjykata, pasi kjo nuk ka ndodhur në asnjë shtet europian. Ai e cilësoi si një “eksperiment të paparë” tentativën e ndodhur në Shqipëri, duke argumentuar se gjyqësori merr kompetenca të Kryeministrit, Presidentit dhe Parlamentit.
Megjithatë, Rama përmendi parime të qarta të Gjykatës Europiane që kundërshtojnë këtë veprim:
- Masat e sigurisë nuk mund të përdoren për të pezulluar ministrat, pasi ky veprim është joproporcional dhe ndikon drejtpërdrejt ekzekutivin.
- Ministrat janë shprehje e vullnetit demokratik dhe çdo masë që cenon funksionimin e institucioneve të zgjedhura duhet të justifikohet me standardin më të lartë demokratik.
Rama përfundoi duke theksuar se, si sipas Venecias, ashtu edhe sipas Strasburgut, gjyqësori nuk duhet të pezullojë ministra. Ai e konsideroi pezullimin e një ministri si një koncept absurd, pasi nuk pezullon thjesht një individ, por një autoritet me fuqi vendimmarrëse, duke pamundësuar përfaqësimin e ministrisë në Këshillin e Ministrave dhe propozimin e vendimeve qeveritare.
