Rama kundër SPAK: Për pezullimin absurd të Ballukut

Rama reagon sërish për pezullimin e Ballukut nga SPAK: Është absurde, vendimi ka bllokuar edhe nisjen e linjës ajrore me Kanadanë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me çështjen e pezullimit të Belinda Ballukut, duke e cilësuar vendimin si “absurd” dhe duke theksuar se ai ka bllokuar procese të rëndësishme, përfshirë nisjen e linjës ajrore me Kanadanë.

Rama pranoi se shembulli i mëparshëm për linjën ajrore me Kanadanë mund të jetë dukur “i tepërt”, por theksoi se qëllimi i tij ishte të ilustronte absurditetin e situatës së krijuar nga pezullimi i ministres.

Ai shpjegoi se për shkak të pezullimit, një sërë procesesh janë bllokuar, përfshirë marrëveshjen me Kanadanë për fluturimet ajrore, për të cilën qeveria po përpiqet të gjejë zgjidhje në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme. Megjithatë, sipas tij, ky është vetëm një aspekt i vështirësisë së përgjithshme.

Kryeministri deklaroi se Kushtetuta i jep ministrit autoritetin ekskluziv dhe të padeklegueshëm, duke e bërë pezullimin të papranueshëm konceptualisht, pasi bllokon të gjithë zinxhirin e vendimmarrjes për sektorët që ministri mbulon.

“Jo vetëm që ministri i pezulluar nuk mund të firmosë asgjë vetë, por edhe askush tjetër nuk mund të marrë vendime dhe të firmosë në emër të dikasterit. Kushtetuta i jep atij dhe vetëm atij autoritetin ekskluziv që nuk mund të delegohet tek askush tjetër. Prandaj, pezullimi është absurd si koncept, sepse bllokon zinxhirin e vendimmarrjes për sektorët që ministri mbulon,” tha Rama.

Ai përmendi si shembuj të bllokuar, marrëveshjen me Kanadanë për fluturimet ajrore, lejet e ndërtimit për investimet në energji të rinovueshme dhe infrastrukturë, si dhe miratimin e vendimeve të Këshillit të Ministrave.

Rama theksoi se ai ka çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese jo për të ndërhyrë në punën e prokurorisë apo gjykatës, por për të kundërshtuar “ndërhyrjen brutale në përbërjen e qeverisë” dhe “marrjen e kompetencave” që Kushtetuta i jep Kryeministrit.

Lidhur me kritikat për mosshkarkimin e ministres, Rama u shpreh se heqja e saj nga pozita nuk do të zgjidhte problemin themelor, por përkundrazi do të krijonte probleme më të mëdha për të ardhmen, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për zhbalancimin e pushteteve.

“Heqja e ministrit në këtë rast nuk do zgjidhte problemin themelor, por do të krijonte një problem themelor për të nesërmen, jo për mua, por për çdo qeveri. Miu i zhbalancimit të pushteteve, duke kaluar në mustaqe me idenë se ministrat mund të hiqen pa gjyq, pa dorëheqje, pa vendim të Kryeministrit, mjafton një masë sigurie, do të kthehej në një ujk që do kafshonte qeveritë, do përbuzë kuvendet, do përqeshte votën popullore,” tha ai.

Kryeministri sqaroi se beteja e tij institucionale, që nuk ka lidhje me emrin e ministres, është për të kundërshtuar pezullimin e parë të një ministri me vendim gjykate në botë.

Scroll to Top