Rama mbledh Komitetin e Emergjencave Civile për përmbytjet

Rama mbledh Komitetin e Emergjencave Civile për të diskutuar situatën e përmbytjeve

Sot në orën 08:30, kryeministri Edi Rama do të mbledhë në godinën qeveritare Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile për të adresuar problematikën e përmbytjeve të ditëve të fundit në Shqipëri.

Në diskutim do të marrin pjesë ministritë përgjegjëse për menaxhimin e situatës, përfshirë Ministrinë e Mbrojtjes, të Brendshme, të Financave, të Energjisë dhe Infrastrukturës, si dhe Ministrinë e Bujqësisë. Gjithashtu, do të jenë të pranishëm përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

Pritet të diskutohet edhe paketa e dëmshpërblimeve, e cila do të përfshijë familjarët, bizneset dhe fermerët, tokat bujqësore të të cilëve janë prekur nga përmbytjet.

Më parë, Kryeministri Rama u bëri një thirrje qytetarëve në rrjetet sociale që të jenë të kujdesshëm dhe të komunikojnë për çdo nevojë me institucionet, të cilat, sipas tij, janë në terren 24 orë.

Kryeministri Rama u bëri gjithashtu një apel banorëve të zonës së Novoselës, për të cilët është lëshuar një thirrje evakuimi për shkak të rrezikut nga dalja e shtratit të lumit Vjosa.

Scroll to Top