“`html
Rama nga Dibra: Kur hyra unë dhe Ulsiu në PS, na shihnin me dyshim. Qeveria e Nanos mbështeti UÇK-në dhe çlirimin e Kosovës.
Gjatë fjalës së tij në ceremoninë në prag të 35-vjetorit të Partisë Socialiste në Dibër, kryeministri Edi Rama u shpreh se Partia Socialiste ka provuar më shumë se një herë që është e vetmja forcë politike që ka një marrëdhënie të qartë me interesin kombëtar.
Kryeministri kujtoi edhe qeverinë e Fatos Nanos, duke theksuar se ai bëri çmos për të mbështetur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe lirinë e Kosovës.
“Kthehemi sot këtu në Dibër, në këtë pallat sporti, pasi kemi pasur dy takime të paharrueshme, njërin para zgjedhjeve dhe tjetrin pas tyre. Më kujtohet takimi para zgjedhjeve, i cili u bë shumë popullor dhe i përfolur në të gjitha mediat për ‘punën e çyrykëve’. Edhe unë nuk e kisha pritur që ata do të ngriheshin në këmbë duke thënë: ‘Ne jemi burra’. Burrat e mençur shkuan pas grave dhe Dibra nxori nga kutitë e votimit fitoren më të madhe ndonjëherë. Ky ka qenë një moment që tregoi mençurinë e kësaj zone, me të cilën për arsye të ndryshme ndihem shumë i lidhur dhe më vjen mirë që kjo lidhje materializohet edhe me shpejtësinë e ardhjes sonë. Erdha me disa minuta vonesë. Ulsiu i ka bindur të gjithë në Tiranë që rruga zgjat 50 minuta. I thashë: ‘Po më çoni me vonesë’. Më thanë: ‘Jo, se do të sjellim për 55 minuta, kështu na tha Ulsi Manja’. Fajin e ka ai. Do të ishte e pamendueshme, para se ne ta ndërtonim rrugën e dibranëve, siç e quaj unë Rrugën e Arbrit, të vije dhe të ktheheshe për një takim tjetër në Tiranë. Kjo është vazhdimi i një rruge që është rruga e PS-së, në të cilën ne e kemi parë dhe dëgjuar shumë, por edhe bërë shumë.”
Duke u kthyer tek fjalët e Ulsi Manjës, kryeministri Rama nënvizoi se historia e PS-së nuk nis me momentin kur ai dhe Manja hynë në parti. “Ne kemi hyrë më vonë dhe na shihnin me dyshim, por historia nis në momentin kur socialistët bënë një zgjedhje shumë të qartë dhe u shkëputën në mënyrë shumë të arsyeshme nga e shkuara, duke i dhënë jetë një partie e cila në këto 35 vite ka shënuar disa gjëra shumë të rëndësishme në librin e jetës politike shqiptare.”
“Në radhë të parë, PS ka provuar më shumë se një herë që është e vetmja forcë politike që ka një marrëdhënie të kristaltë me interesin kombëtar. Dhe ndoshta shembulli kulmor është i lidhur me atë periudhë kur PS dhe lideri i saj historik, Fatos Nano, bombardoheshin nga të katër anët si të lidhur me Beogradin. Ata që i bombardonin ishin ata që, ndërsa flisnin për Kosovën ditën, natën thyenin embargon që bota demokratike i kishte vendosur Millosheviçit dhe i shisnin naftë atij për të furnizuar makinën fashiste të spastrimit etnik. Ishte PS, duke filluar nga qeveria e Nanos, që nuk la asgjë pa bërë për të mbështetur hapur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe çlirimin e Kosovës”, u shpreh Rama.
Kryeministri Rama gjatë fjalës së tij në Dibër ngriti akuza edhe ndaj opozitës, duke deklaruar se edhe kur “i kanë rënë pantallonat në fund të këmbëve ka shkatërruar fasadën e Kryeministrisë dhe kazanët e plehrave”.
Kryeministri shtoi se PS është përballur shpesh me forcën e shkatërrimit, por tashmë në ADN-në e vet ka vetëm interesin kombëtar.
“Çfarë e ka karakterizuar PS-në: prirja për të ndërtuar dhe ka qenë gjithmonë e detyruar të përballet me forcën e shkatërrimit, forcën që kur ka pasur në dorë mundësinë të shkatërronte Shqipërinë, e ka bërë. Edhe kur i kanë rënë pantallonat në fund të këmbëve, ka shkatërruar fasadën e Kryeministrisë dhe kazanët e plehrave. Ata që PS ka pasur, por tani s’i ka më përballë se i ka mbrapa, ka qenë gjithmonë mishërimi i urrejtjes, i ndarjes së shqiptarëve këtej dhe andej, ndarja në demokratë dhe komunistë, njerëz të demokracisë dhe diktaturës. Një përçarje që u shtri deri në fshatin më të largët, kur ziheshin komshinjtë për partinë, kur akoma ishin pa gjërat më elementare. PS e ka të shkruar në ADN-në e vet edhe raportin e qartë me interesin kombëtar, edhe marrëdhënien e drejtë me të shkuarën, por edhe marrëdhënien qytetare me shoqërinë”, u shpreh kryeministri Rama.
“`
