“`html
“Menduan se u bë deti kos”, Rama: Të tjerë po përdorin protestën për karrierat e tyre politike
Kryeministri Edi Rama ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të largohet nga pozicioni i tij. Përveçse ka cilësuar algoritmin e rrjeteve sociale si faktorin kryesor të protestave masive, ai ka identifikuar edhe një tjetër element: atë që e konsideron “dorë të fshehur” të partive të reja, të cilat, sipas tij, po e shfrytëzojnë situatën për rritjen e tyre politike.
“Sa më shumë zemërim, frikë dhe tronditje, aq më shumë përhapet iluzioni se, pak nga pak, duke u shkëputur nga realiteti, njeriu mund të ndryshojë botën apo të rrëzojë çdo pengesë drejt lumturisë. Kjo ndodh kur njerëzit kalojnë në një realitet të kuruar nga algoritmi, duke u bazuar në versione të sajuara të fakteve, të servirura pafundësisht në ekranin e celularit, pa verifikuar domosdoshmërisht të vërtetën. Ata bëhen pjesë e një historie të ndërtuar, të montuar dhe të amplifikuar, duke u bashkuar me të tjerë dhe duke krijuar përshtypjen se po jetojnë mishërimin e bindjeve të tyre, duke mos qenë më vetëm.”
Kryeministri shtoi se sot shumë njerëz dalin në protesta me bindje të sinqerta. Ai përmendi shembullin e personave që protestojnë për mbrojtjen e natyrës, flamigove apo pasurive të përbashkëta. Rama theksoi se këto qëllime janë fisnike dhe legjitime, por ngriti pyetjen: “Po i mbrojnë nga kush? Nga unë, nga ne?”. Ai rikujtoi se mbrojtja e natyrës, zonat e mbrojtura, ndalimi i gjuetisë së paligjshme dhe i prerjes së pyjeve, kanë qenë dhe mbeten prioritete të punës së qeverisë.
Këshilla e tij është që, pavarësisht respektit për motivet, nuk duhet të përjashtohet detyrimi për të verifikuar faktet. “Kur emocioni ushqehet nga gjysmë të vërteta, pamje të shkëputura nga konteksti, slogane që qarkullojnë më shpejt se provat, dhe nga një algoritëm që shpërblen gjithmonë atë që trondit, jo atë që shpjegon, atëherë idealizmi, dëshira e sinqertë dhe nevoja për t’u shprehur në një komunitet kthehen në vegla në duart e atyre që kanë interesa të tjera.”
Sipas Ramës, njerëzit mendojnë se po mbrojnë flamigovet, Zvërnecin apo Shqipërinë, ndërkohë që në fakt po mbrojnë interesat e dikujt tjetër. Ai përfundoi duke thënë: “Menduan gabimisht se u bë deti kos për lugën e ndryshkur të karrierave të tyre politike apo për partiçkat e tyre të reja, të cilat u bënë shumë shpejt të vjetra dhe të vogla, dhe që duan të rriten duke hedhur gurë, duke fshehur duart, duke nxjerrë një dorë dhe duke mbuluar një tjetër.”
“`
