Paraja Kriminale në Ndërtime: Dëme të Papërballueshme për Shqipërinë

Sekreti që e dinim të gjithë: Dëmet e futjes së parave kriminale në ekonomi

Dëmi më i madh është ai që nuk mund të rikuperohet: zhvillimi pa plan, betonizimi i qyteteve, kullat që kanë zëvendësuar hapësirat publike, kodrat e mbushura me beton dhe bregdeti që po humbet karakterin e tij natyror.

Që në fillim të viteve ’90, sektori i ndërtimit u kthye në një pikë kyçe për Shqipërinë. Zhvendosja e popullsisë nga zonat rurale drejt atyre urbane dhe nevoja për përmirësimin e kushteve të banimit nxitën kërkesën për banesa, duke e shndërruar tregun e pasurive të paluajtshme në një nga motorët e rritjes ekonomike. Në vitin 2008, ndërtimi arriti kulmin, duke zënë gati 23% të vlerës së shtuar bruto në vend.

Pas kësaj faze, si çdo sektor ciklik, ishte e pritshme që të hynte në një fazë maturimi. Popullsia po plakej, emigracioni po zbrazte vendin dhe kërkesa natyrore për strehim nuk mund të rritej pafundësisht. Megjithatë, pas vitit 2016, ndodhi e kundërta. Fillimisht në Tiranë e më pas në të gjithë vendin, nisi një valë e re ndërtimesh me ritme që ekonomia reale e kishte të vështirë t’i justifikonte dhe me çmime shitjeje të shumëfishuar. Pagat nuk po rriteshin aq shpejt, popullsia nuk po shtohej, përkundrazi po tkurrej, dhe kreditimi bankar për ndërtimin ishte ende i kufizuar. Pavarësisht kësaj, kullat shumëfishoheshin, çmimet rriteshin dhe sipërfaqet e ndërtimit arrinin rekorde.

Ritmi i ndërtimeve preku jo vetëm Tiranën, por edhe zonat bregdetare e qytete të tjera. Kushdo që shikonte shifrat kuptonte se diçka nuk përputhej. Për këtë arsye, prej vitesh jepej pyetja kryesore: nga vinin paratë? Si mund të financoheshin projekte shumëkatëshe nga kompani me kapital dhe të ardhura minimale të deklaruara? Si shpjegohej rënia e Euros në periudhën 2016-2022, kur turizmi ende nuk kishte marrë përmasat e sotme, dhe si justifikohej trefishimi i çmimeve të apartamenteve, në një vend ku të ardhurat ishin ndër më të ulëtat në Europë?

Sot po bëhet gjithnjë e më e qartë ajo që në fakt të gjithë e dinim. Të ashtuquajturat “fondamente” nuk arrinin të shpjegonin as forcimin e Lekut, as përmasat e bumit të ndërtimit. Ky ishte thjesht një sekret i hapur, një e vërtetë që shumëkush bënte sikur nuk e shihte. Vetëm nga dy goditjet e fundit, SPAK ka sekuestruar pasuri të paluajtshme dhe para kesh me vlerë rreth 300 milionë euro, një shumë e barabartë me 12% të investimeve totale në ndërtesa brenda një viti.

Skema, e zbuluar nga SPAK, ishte e thjeshtë: paratë e fituara nga veprimtari të paligjshme futeshin në Shqipëri me mjete transporti dhe investoheshin në vend. Një pjesë e këtyre investimeve lidhen me prona dhe projekte ndërtimi në Tiranë, Palasë, Himarë dhe zona të tjera bregdetare, si dhe me shoqëri tregtare të përdorura për qarkullimin dhe investimin e fondeve që dyshohet se burojnë nga aktiviteti kriminal.

Kjo para kriminale krijoi iluzionin e rritjes ekonomike duke rritur qarkullimin e parasë në vend, duke nxitur vetëkënaqësinë e qeverisë. Realiteti është shumë më ndryshe, me pasoja të shumta:

  • Është rritur pabarazia, me çmimet e apartamenteve që janë bërë të papërballueshme për personat me të ardhura të ndershme. Tirana sot renditet ndër kryeqytetet më të shtrenjta të Europës në raport me fuqinë blerëse, ndërsa Shqipëria vijon të jetë ndër të fundit për të ardhura për frymë dhe fuqi blerëse, me çmime ushqimesh madje më të larta se mesatarja europiane.
  • Ekonomia po rritet në letra, por të dhënat tregojnë se mbi 70% e kontributit në vitin 2025 erdhi nga taksat dhe administrata publike, ndërsa ekonomia reale u zgjerua vetëm me 1.1%, shifra më e ulët që nga pandemia.
  • Kapitali i lirë dhe jo vetëm ai informal u orientua drejt ndërtimit, pasi ishte sektori i vetëm që sillte kthim të shpejtë dhe u nxit nga qeveria përmes dhënies së lejeve pa asnjë kriter.
  • Paraja informale është përzier me atë formale dhe do të jetë e vështirë ndarja e tyre, duke u favorizuar ndoshta përmes amnistive të vazhdueshme.
  • Eksportuesit po falimentojnë për shkak të zhvlerësimit të induktuar të euros nga hyrjet e parave informale.
  • Qytetarët rrezikohen pasi blejnë apartamente në kompani me origjinë të dyshimtë parash dhe rrezikojnë të humbasin paratë e dhëna paradhënie.
  • Një korrigjim i fortë i tregut do të godiste jo vetëm blerësit e banesave, por edhe bankat që kanë marrë këto prona si kolateral.

Megjithatë, dëmi më i madh nuk matet me euro. Ai është ai që nuk mund të rikuperohet: zhvillimi pa plan, betonizimi i qyteteve, kullat që kanë zëvendësuar hapësirat publike, kodrat e mbushura me beton dhe bregdeti që po humbet karakterin e tij natyror. Ky është një borxh që po ua lëmë brezave që do të vijnë.

Sekreti që e dinim të gjithë nuk duhet të shërbejë vetëm për të kuptuar se çfarë ndodhi. Duhet të shërbejë për të mos e përsëritur. Sepse çdo herë që mbyllen sytë, faturën e paguan vendi dhe e ardhmja.

Scroll to Top