Rama: Pezullimi i Ballukut na la pa drejtorë edhe në KESH dhe ARRSH
Në podkastin “Flasim”, kryeministri Edi Rama foli sërish për pezullimin nga detyra të zv/kryeministres dhe ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, vendim i marrë nga Gjykata e Kontrollit të Lartë të Posaçëm (GJKKO). Rama shpjegoi se arsyeja e ankimimit të tij në Gjykatën Kushtetuese për masën e sigurisë ndaj saj, është se ky veprim, i quajtur “de jure” pezullim, në fakt përbën një “de facto” nënshtrim brutal të ekzekutivit.
Sipas kryeministrit, puna e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) dhe Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) është bllokuar, pasi dy drejtorët përkatës të këtyre institucioneve ndodhen në “arrest shtëpie”, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe vendim të GJKKO-së.
Rama theksoi se i vetmi ministër në kabinetin qeveritar që ka të drejtë të emërojë drejtues të rinj për ARRSH dhe KESH është ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, e cila aktualisht nuk është në gjendje të ushtrojë detyrën.
“Ky veprim, që ‘de jure’ quhet pezullim, por ‘de facto’ është nënshtrim brutal i ekzekutivit, sjell përditë pasoja pas pasojave. Arsyeja pse unë i ndaj disa shembuj me publikun, është për t’u kuptuar deri në fund se çfarë ka ndodhur, çfarë po kalojmë dhe çfarë po përpiqem të bëj, përmes adresimit të kësaj problematike befasuese dhe të papritur në Gjykatën Kushtetuese, si dhe për të ndarë jo vetëm pasojat, por edhe dëmet që mund të bëhen të pallogaritshme.
Ja për shembull, janë vendosur në arrest shtëpie drejtori i ARRSH dhe drejtori i KESH-it. Nuk ka asnjë rëndësi se si i mendoj unë arsyet e këtyre ndalimeve, pasi kjo është punë e prokurorit dhe gjykatësit – për sa kohë, siç kanë konstatuar me shqetësim më shumë sesa një herë autoritetet e Këshillit të Europës, paraburgimet dhe arrestet e shtëpisë, pa gjyq, janë bërë ‘bukë e djathë’ në Shqipëri.
Por fakti është se ata nuk hetohen në gjendje të lirë, dhe kështu cila është pasoja? Pasoja është se lihen pa kokë edhe dy institucione të tjera kyçe për vendin, të cilat mbulojnë infrastrukturën kombëtare të rrugëve dhe infrastrukturën kombëtare të energjisë. Mirëpo, pse kjo pasojë tani është e lidhur drejtpërdrejtë me pezullimin dhe pse kjo pasojë tani bëhet e pariparueshme, për sa kohë pezullimi, jo vetëm antidemokratik, por edhe alogjik i një anëtari të kabinetit, e bën të pamundur zëvendësimin e tyre, pasi ligji nuk ia jep askujt tjetër përveç autoritetit ekskluziv të ministrit edhe të drejtën e këtyre emërimeve. Kaq e thjeshtë është, pse ministri nuk mund të pezullohet si të ishte një funksionar publik i çfarëdolloj niveli tjetër.
Ka një devizë, ne e kemi ndjekur si postulat: Mos ndërhy në punët e drejtësisë. Por, nga ana tjetër, kjo ndërhyrje brutale në trupin e qeverisë është një këmbanë alarmi, që duhet dëgjuar deri në fund, për të mos u përsëritur më kurrë. Dhe kështu, duke ndihmuar njëri-tjetrin dhe duke rivendosur njëri-tjetrin në pozicionet kushtetuese, ndihmojmë Shqipërinë, ndihmojmë konsolidimin dhe modernizimin e shtetit shqiptar”, tha Rama.
