Rama: Shumica e pacientëve të kënaqur nga Spitali Onkologjik?

Rama pretendon me seriozitet: Shumica e pacientëve të kënaqur nga Spitali Onkologjik

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me mjekët e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), duke u shprehur në mënyrë të shkëputur nga realiteti.

Rama pranoi ekzistencën e skandalit në Spitalin Onkologjik, duke theksuar se ky fakt i ka bërë ata të ndihen të turpëruar. Megjithatë, ai distancon veten nga çështja, duke e konsideruar atë si një rast të veçantë që është trajtuar nga drejtësia, dhe jo si një reflektim të shërbimit të përgjithshëm ndaj pacientëve.

Kryeministri vazhdoi duke pretenduar se shumica e pacientëve janë të kënaqur nga shërbimi në Spitalin Onkologjik dhe në QSUT.

Rama u shpreh: “E mira nuk bën lajm dhe e keqja bën lajm. Është një rregull kudo. Natyrisht që rreth 60 mijë operacionet e suksesshme që bëhen në vit dhe 35 mijë ndërhyrje kirurgjikale. Mjafton një operacion i dështuar për t’u kthyer në të kundërtën për të gjithë trupën e mjekëve, për të gjithë shërbimin tonë kombëtar shëndetësor. Dhe patjetër kur ndodh që brenda këtij shërbimi identifikohen individë apo veprimtari që njollosin bluzën e bardhë, sigurisht kostoja e reputacionit është shumë e lartë. Është e pamerituar për të tjerët; të gjithë e paguajnë. Në fund të ditës, për të gjithë ata që e dinë se ç’do të thotë në sistemin shëndetësor, pjesa pozitive është ajo që dominon.

Onkologjiku u bë shkas për të ulur kokën të gjithë së bashku për fakte që nuk nderojnë askënd. Takuan disa pacientë që ishin shumë të kënaqur me shërbimin. Dhe unë po u thoja drejtores dhe ministres që opinioni ushqehet me negativitet të madh për shërbimin shëndetësor nga ata që nuk kanë marrë ndonjëherë shërbim në spital. Pjesa dërrmuese e atyre që kanë marrë shërbim e kujtojnë për mirë, jo për keq. Keni pacientë që kanë kaluar në kujdesin tuaj dhe ju janë mirënjohës. Puna juaj dhe e jona është që të vazhdojmë të adresojmë problemet dhe të ngremë nivelin, sepse e mira nuk ka fund.”

Scroll to Top