Rama: Veliaj të lirohet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Veliajn, Rama reagoi duke thënë: “U provua që s’i kam kapur unë të gjitha pushtetet, kryebashkiaku të vijojë gjyqin në gjendje të lirë.”

Publikuar më 04.11.2025 nga shekulli_admin

Pak më pak se 24 orë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në favor të Erion Veliajt, kryeministri Edi Rama, duke u bazuar në këtë vendim, kërkon lirimin e tij nga paraburgimi.

“Ja që edhe njëherë u provua se nuk i paskam kapur unë të tëra pushtetet dhe kjo është një gjë sa e qartë, aq edhe e mirë apo jo?”, kështu e ka nisur kryeministri Edi Rama komentimin e tij në platformën X, duke iu referuar asaj që ai e quan si disa rrjedhojë logjike nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

“Nëse Tirana nuk do të ketë zgjedhje deri në vitin 2027 dhe Kushtetuesja mendon se kryebashkiaku i burgosur i Tiranës nuk mund të largohet përveçse me zgjedhje, atëherë disproporcioni i mbajtjes së tij në qeli nuk është më thjesht në dëm të lirive dhe të drejtave kushtetuese të personit, por edhe në dëm të së drejtës kushtetuese të popullit të kryeqytetit për t’u shërbyer nga i zgjedhuri i vet, apo jo?”

Kryeministri këmbëngul në nevojën e lirimit të Erion Veliajt, duke dhënë si argument:

“Çdo njeri normal, që nuk sheh tek qëndrimi i Kushtetueses një qëndrim të verbër kundër qeverisë në dëm të madh të Tiranës, por një qëndrim të vendosur parimor, nuk ka se si të mos presë që me të njëjtën parimësi, kur të gjykojë paraburgimin e tij, Kushtetuesja ta kthejë Erion Veliajn në detyrë, për të vijuar procesin gjyqësor në gjendje të lirë, apo jo.”

Ndërsa për disa nga pikat e vendimit të Kushtetueses, marrë 5 me 3 në favor të kthimit në detyrë të zotit Veliaj, Edi Rama thotë:

“Pika 1 dhe 2 janë të sigurta, pika 3 mbetet për t’u parë. Ndërkohë, le të urojmë që kushdo ka në dorë të ndihmojë zgjidhjen e këtij ngërçi absurd, të kujtohet se kryeqyteti nuk mund të trajtohet si jetim për vite me radhë.”

Kërkesa e Edi Ramës për lirimin e Erion Veliajt vjen si rrjedhojë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që e ktheu atë në drejtimin e Bashkisë së Tiranës, por edhe para datës 12 nëntor, kur Gjykata e Krimeve të Rënda dhe Korrupsionit (GJKKO) do të zhvillojë seancën paraprake pasi SPAK-u mbylli hetimet dhe çoi dosjen për gjykim.

Scroll to Top