Rritje pensionesh nga janari 2026: Objektivat deri në 2029

Rama njofton skemën e re nga janari 2026: Rritje pensionesh çdo muaj, deri në 2029 pensioni mesatar urban shkon 400 euro

Qeveria i ka përcjellë Kuvendit projekt-buxhetin për vitin 2026, ku parashikohet se që nga janari do të ketë rritje të pensioneve muaj për muaj, përtej indeksimit.

Në një komunikim në mediat sociale, kryeministri Edi Rama deklaroi se ky është “mandati i rritjes së përvitshme të pensioneve”, ashtu siç ishte premtuar gjatë fushatës elektorale.

“Jam i lumtur sot t’u them pensionistëve se mu ashtu siç u zotuam në zgjedhje, ky mandat do të jetë mandati i rritjes së përvitshme të pensioneve. Siç e kam thënë gjithnjë, kjo është pjesa më e vështirë e politikës financiare të një vendi, pensionet, por më në fund, pikërisht sepse nuk jemi më ai vendi që mezi mbajmë këmbë, po jemi një vend me një ekonomi të qëndrueshme që rritet çdo vit, mund ta bëjmë atë për të cilën u zotuam. Të arrijmë vit pas viti të rrisim pensionet sipas objektivave të shpallura për secilën kategori,” tha Rama.

Sipas kreut të qeverisë, pensionet do të rriten çdo muaj duke filluar nga janari i ardhshëm, përtej indeksimit që zbatohet çdo vit. Parashikohet që deri në vitin 2029, pensioni mesatar urban, për ata me vite të plota pune, do të shkojë në 40,000 lekë ose 400 euro, nga 27,350 lekë që është aktualisht.

Pensioni urban i pjesshëm do të arrijë në 22,000 lekë, nga 15,850 lekë që është sot, pra një shtesë prej më shumë se 6 mijë lekësh. Pensioni rural do të shkojë në 18,000 lekë nga 11,500 lekë aktuale. Pensioni familjar do të rritet nga 11,400 lekë në 18,000 lekë, ndërsa pensioni i invaliditetit, që sot është 20,000 lekë, do të shkojë në 30,000 lekë.

Kryeministri shpjegoi edhe rritjen që do të pësojnë pensionet sipas kategorive nga muaji janar. Rritje që sipas Ramës, në vitin 2027 do të dyfishohet, në 2028 do të trefishohet dhe në 2029 do të katërfishohet.

“Në vitet në vijim, të njëjtat shifra do të dyfishohen për secilën kategori në 2027, do të trefishohen 2028, do të katërfishohen 2029 për të arritur vlerën e premtuar në qershor të këtij viti, ku shqiptarët na dhanë plot 83 mandate. Ky jam unë, këta jemi ne. Them dhe themi atë që bëjmë dhe bëjmë gjithnjë atë që themi,” tha Rama.

Rritja që do të pësojnë pensionet në vitin 2026:

  • Pensioni urban: do të rritet me 1800 lekë
  • Pensioni urban i pjesshëm: do të rritet me 800 lekë
  • Pensioni rural: do të rritet me 1000 lekë
  • Pensioni familjar: do të rritet me 700 lekë
  • Pensioni i invaliditetit: do të rritet me 600 lekë

Sa parashikohet të shkojnë pensionet deri në vitin 2029?

  • Pensioni mesatar urban: Shkon 40,000 lekë nga 27,350 lekë që është sot
  • Pensioni urban i pjesshëm: Shkon 22,000 lekë nga 15,850 lekë që është sot
  • Pensioni rural: Shkon 18,000 lekë nga 11,500 lekë që është sot
  • Pensioni familjar: Shkon 18,000 lekë nga 11,400 lekë që është sot
  • Pensioni i invaliditetit: Shkon 30,000 lekë nga 20,000 lekë që është sot
Scroll to Top