Endrit Shabani u zgjodh Avokati i Popullit, ndërsa Adriana Kalaja reagoi ashpër, duke pohuar se kontributi i saj u shkel nga Partia Demokratike dhe Sali Berisha.
Mbrëmjen e së enjtes, Kuvendi miratoi zgjedhjen e Endrit Shabanit si Avokati i ri i Popullit. Adriana Kalaja, e cila garoi për këtë post, reagoi pas humbjes përmes një postimi në rrjetet sociale.
Ajo deklaroi se kontributi i saj u shkel si nga Partia Demokratike ashtu edhe nga kreu Sali Berisha. Kalaja shtoi se prania e kryeministrit në seancë ishte për shkak të frikës së tij se mos kishte një votë në favor të saj.
Në reagimin e saj, Kalaja shkroi:
“Fitorja ime e radhës… Fakti që Kreu i Organizatës Kriminale, ngrihet dhe shkon në Kuvend për të çuar deri në fund ‘marrëveshjen’ me PD dhe opozitën, nga frika se mund t’i rridhte 1 votë pro meje, është fitorja ime e radhës.
Nga ana tjetër, 69 vota kundër të banditëve të tij me urdhër, tregojnë frikën e tij jo ndaj meje, por ndaj emrit dhe kontributit tim, kontribut në fakt që e shkeli si Partia Demokratike ashtu edhe Z. Berisha, për sa kohë pranoi marrëveshjen me sorosistin Shabani.
Ironia e fatit është se janë po kaq vota, sa u zgjodh ushtarja e Ulsiut, Arta Marku, Prokurore e Pushtetit të Drejtësisë.
Ndërkohë, dua të shpreh gjithë mirënjohjen time të pafundme, për mbështetjen e jashtëzakonshme të Popullit, i cili me ‘referendum’ më zgjodhi Avokat të Tij.
Përkundër faktit se sot jam jashtë funksioneve të mia në PD, zotohem se do të vijoj të jem Avokate e Popullit dhe se do ta çoj deri në fund betejën time kundër narko-regjimit.
PS: Unë nuk kam fuqinë e banditit Kryeministër, megjithëse ai tregoi frikën ndaj meje, por dosja McGonigal, grabitja e pronës së Surrelit dhe Irenës me 300 mbiemra, i janë dërguar Senatit dhe Kongresit Amerikan, si dhe Ambasadës së SHBA-ve.”