Redi Molla Lirohet nga Burgu: Apeli Zbut Masën e Sigurimit

Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur të zbusë masën e sigurimit për Redi Mollën, ish-drejtorin e UKT-së të Bashkisë së Tiranës.

Ai, së bashku me ish-drejtorin tjetër të bashkisë, Mariglen Qato, dhe pesë persona të tjerë, akuzohen për krijimin e një skeme korrupsioni dhe pastrimi parash nëpërmjet kompanisë 5D Konstruksion.

Gjyqtarja Iliriana Olldashi ka vendosur zëvendësimin e masës “arrest në burg” me atë të “arrestit shtëpiak”, bazuar në kërkesën e Mollës për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.

Redi Molla është liruar menjëherë nga qelia dhe është urdhëruar të mos largohet nga banesa. Koha e kaluar në arrest shtëpie do të llogaritet si vuajtje dënimi në qeli.

Çështja penale kundër Mollës dhe të pandehurve të tjerë ka të bëjë me vepra penale si korrupsioni aktiv dhe pasiv, mosdeklarime, deklarime të rreme apo fshehje pasurish, shkelje të barazisë në tendera dhe pastrim parash.

Sipas SPAK, Redi Molla dhe Mariglen Qato, në cilësinë e drejtuesve të UKT, kanë qenë pronarë “de facto” të shoqërisë 5D Konstruksion dhe e kanë përdorur atë për të përfituar në mënyrë të paligjshme fonde publike dhe për pastrim parash.

Gjykata e Shkallës së Parë nuk e ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar në këtë çështje.

Aktualisht, gjykimi është në fazën e pyetjes së dëshmitarëve. Në seancën e kaluar ka dëshmuar edhe ish-nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, i cili ka shmangur përgjegjësinë për tenderat e kompanisë 5D, duke ia ngarkuar ekspertëve të fushave përkatëse.

Leave a Comment

Scroll to Top