Reformë Territoriale: Detaje nga Arbjan Mazniku

## Asnjë shërbim nuk do të largohet nga territori, Mazniku: Bashkimi me Beratin do t’i sjellë Poliçanit më shumë zhvillim

**TIRANË** – Bashkëkryetari i Reformës Territoriale, Arbjan Mazniku, në një takim me gazetarët, ka sqaruar arsyet dhe mënyrën se si propozohet shkrirja e 61 bashkive aktuale në 46.

Ai ka akuzuar opozitën se ka vonuar punën e komisionit për reformën territoriale, i cili kishte një afat 9-mujor për të përfunduar detyrat.

“Katër muajt e parë opozita nuk erdhi, një muaj u mor me kalendarin e diskutimeve. Një pjesë e detyrave që komisioni duhej të realizonte nuk u bënë, sepse opozita mori në mënyrë sistematike shumë kohë. Që kur është krijuar komisioni, afati ka qenë 9-mujor dhe kjo dihej,” tha ai.

Duke shpjeguar propozimin, Mazniku theksoi se **asnjë shërbim nuk do të largohet nga qytetet që do t’u bashkohen bashkive më të mëdha**.

Duke iu përgjigjur qytetarëve të Poliçanit, të cilët protestuan kundër bashkimit me Beratit, ai u shpreh: “Asnjë shërbim nuk largohet nga territori. Bashkimi i Poliçanit me Beratin do t’i sjellë më shumë zhvillim Poliçanit. Ruhen të gjithë elementët që ka, zyra, logoja, çdo gjë, por përfiton nga ky kalim”.

Mazniku trajtoi edhe rastin e Rinasit, duke theksuar se ishte i vetmi propozim për ndryshim territorial. “Rinasi është rasti i vetëm ku propozuam ndryshim territori, sepse Tirana është përfituesja më e madhe nga ajo që gjeneron Rinasi. Akset që vijnë nga Rinasi kanë nevojë për mirëmbajtje më të madhe për shkak të aeroportit. Kjo bëhet për t’i dhënë mundësi atij territori dhe për të ekuilibruar përfituesit me atë që mban kostot”.

Ai sqaroi se **elementi politik nuk është futur fare në këtë diskutim**, pasi lëvizja e këtyre bashkive nuk ndikon në ndryshimin e rezultateve në nivel kombëtar. Synimi kryesor është rritja e eficiencës së funksionimit të këtyre bashkive.

Lidhur me Elbasanin, Mazniku e cilësoi si “pika natyrore e gravitetit” për këtë zonë. Modeli i propozuar synon të ruajë përfaqësimin lokal, identitetin e qyteteve dhe aksesin e qytetarëve në shërbime. Ai theksoi se çdo bashki që pritet të shkrihet do të ketë një nënkryetar dhe banorët do të vijojnë t’i marrin shërbimet në të njëjtat zyra.

“Elbasani është pika natyrore e gravitetit, këtu ruajmë tre qytete: Elbasanin, Cërrikun dhe Belshin. Secili prej këtyre qyteteve do të ketë një nënkryetar përgjegjës për territorin e tij dhe një kuotë proporcionale në këshillin bashkiak të krijuar nga kjo bashki e madhe, duke siguruar kështu përfaqësimin, vijueshmërinë e funksionalitetit, ruajtjen e identitetit dhe të gjitha shërbimet që banorët marrin sot në Cërrik apo Belsh do të vazhdojnë t’i marrin aty ku i kanë marrë gjithmonë. Asnjë shërbim nuk largohet nga territori. Elementët që konsolidohen janë planifikimi buxhetor, planifikimi urban, planifikimi i zhvillimit ekonomik dhe elementë ligjorë. Pastrimi i kanalit kullues vaditës do të vazhdojë të kryhet nga struktura e qytetit, si dhe planifikimi dhe menaxhimi i flotës së mjeteve, i cili do të bëhet nga një njësi e përqendruar”, tha Mazniku.

Scroll to Top