Rehabilitim Hekurudhor Durrës-Rrogozhinë: Investim Madhor

Linja Durrës-Rrogozhinë, Hekurudha Shqiptare nis konsultimet për rehabilitimin dhe elektrifikimin

Hekurudha Shqiptare ka filluar procedurat e informimit dhe konsultimit publik për projektin e rehabilitimit dhe elektrifikimit të linjës hekurudhore Durrës–Rrogozhinë. Ky investim synon modernizimin e një prej segmenteve kryesore të rrjetit hekurudhor kombëtar.

Shoqëria publike bëri të ditur se procesi po zhvillohet në kuadër të përgatitjes së dokumentacionit mjedisor dhe social të projektit, i cili shtrihet në territorin e bashkive Durrës, Kavajë dhe Rrogozhinë.

Sipas përmbledhjes joteknike të projektit, ndërhyrja parashikon rindërtimin, modernizimin dhe elektrifikimin e rreth 33 kilometrave linjë hekurudhore ekzistuese, nga zona e Shkozetit në Durrës deri në stacionin e Rrogozhinës.

Projekti konsiderohet pjesë e Korridorit VIII Pan-Europian, që lidh rajonin e Adriatikut me Ballkanin Lindor dhe rrjetin europian të transportit. Rehabilitimi i këtij segmenti është përfshirë në prioritetet e qeverisë shqiptare për integrimin e rrjetit hekurudhor me rrjetin Trans-Europian të Transportit (TEN-T).

Financimi i projektit mbështetet nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Banka Europiane e Investimeve (BEI) dhe fondet e Bashkimit Europian.

Linja Durrës–Rrogozhinë është ndërtuar në periudhën 1947–1950 dhe, sipas dokumentacionit, ka pësuar degradim të konsiderueshëm gjatë dekadave të fundit për shkak të mungesës së mirëmbajtjes, duke kufizuar shpejtësinë e trenave dhe funksionalitetin e shërbimit.

Punimet e planifikuara përfshijnë:

  • Zëvendësimin e shinave ekzistuese.
  • Rinovimin e traversave dhe ballastit.
  • Përmirësimin e sistemit të drenazhimit.
  • Rehabilitimin e urave.
  • Zgjerimin e tunelit të Rrogozhinës për t’iu përshtatur standardeve europiane dhe elektrifikimit të linjës.

Projekti parashikon gjithashtu:

  • Instalimin e sistemeve të reja të sinjalizimit dhe telekomunikacionit.
  • Modernizimin e kalimeve në nivel.
  • Mbylljen e kalimeve informale.
  • Ndërtimin e nënkalimeve ose mbikalimeve në zona me fluks të lartë lëvizjeje.

Një komponent i ri i projektit është elektrifikimi i plotë i linjës, i cili do të mundësojë operimin e trenave elektrikë përgjatë gjithë segmentit. Dokumenti parashikon ndërtimin e një nënstacioni tërheqjeje në Rrogozhinë dhe instalimin e infrastrukturës mbështetëse për furnizimin me energji.

Sipas Hekurudhës Shqiptare, projekti synon të përmirësojë sigurinë, besueshmërinë dhe efikasitetin e transportit hekurudhor për pasagjerë dhe mallra. Ky investim do të krijojë kushtet për shpejtësi më të larta operimi dhe standarde më të mira shërbimi krahasuar me gjendjen aktuale.

Scroll to Top