Rei Manaj kërkon largim, oferta nga Turqia

Rei Manaj kërkon largimin nga Al Sharjah në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ndryshe nga sa është raportuar së fundmi, ai nuk ka firmosur për asnjë klub në Kinë.

Përkundrazi, sulmuesi shqiptar vazhdon të jetë në bisedime për një kthim të mundshëm në kampionatin turk të futbollit. Sipas mediave turke, presidenti i Sivaspor, Burak Ozçoban, ka qenë në kontakt me Manajn ditët e fundit, duke i paraqitur kushtet financiare për rikthimin në klubin e kategorisë së dytë turke, i cili është kandidat për t’u ngjitur në elitë.

Sivaspor përballet me një bllokim të merkatos nga FIFA për shkak të detyrimeve financiare, por në klub po punohet për të shlyer këto pagesa dhe për të afruar menjëherë Manajn në ekip, nëse sulmuesi do të pranojë ofertën.

Të njëjtat burime bëjnë të ditur se Manaj nuk ka kthyer ende një përgjigje përfundimtare, pikërisht për shkak të problemeve që ka Sivaspor, por pritet të vendosë shumë shpejt.

Manaj ka shënuar 30 gola në 60 ndeshje me fanellën e Sivaspor në Superligë në dy sezone. Një eksperiencë e suksesshme në Turqi duket se tërheq futbollistin e Kombëtares shqiptare.

Scroll to Top