Nuk ndalet rënia e bujqësisë dhe industrisë, rritja po vjen nga sektorë të paqëndrueshëm
Mënyra se si po rritet Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) tregon se ekonomia po mbështetet gjithnjë e më pak te sektorët tradicionalë prodhues dhe gjithnjë e më shumë te shërbimet. Bujqësia dhe industria vijojnë të japin kontribut negativ në zgjerimin e ekonomisë.
Të dhënat e fundit nga INSTAT tregojnë se ekonomia u rrit me 3.75% në tremujorin e tretë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, sektori i bujqësisë ra me -1.73% dhe industria ra me -4.7% në të njëjtën periudhë.
Bujqësia po shfaq një rënie të vazhdueshme të vlerës së shtuar që nga viti 2021, duke reflektuar probleme strukturore të lidhura me fragmentimin e tokës, produktivitetin e ulët, mungesën e subvencioneve dhe presionet nga kostot. Në të njëjtën kohë, industria përpunuese po mbyll vitin e tretë të rënies.
Të dy sektorët prodhues, si bujqësia dhe industria, kanë pasur peshë të konsiderueshme në punësim dhe në ekonominë totale. Së bashku, bujqësia dhe industria kontribuan vetëm 23% të PBB-së në vitin 2024, nga 27.3% që ishte pesha e tyre në vitin 2019. Kjo ecuri tregon se zgjerimi ekonomik nuk po shoqërohet me forcim të kapaciteteve prodhuese.
Industria nxjerrëse dhe përpunuese po ndikohet si nga kërkesa e dobët e jashtme, ashtu edhe nga kostot më të larta në vend dhe mungesa e fuqisë punëtore.
Ndërkohë, rritja ekonomike po mbahet gjallë kryesisht nga sektorët e shërbimeve, si administrata publike, aktivitetet profesionale, financiare dhe disa segmente të tregtisë e shërbimeve të lidhura me turizmin. Sipas ekspertëve, kjo e bën rritjen më pak të balancuar dhe më të ndjeshme ndaj goditjeve, pasi mungon mbështetja nga sektorët që krijojnë vlerë të shtuar afatgjatë dhe që janë baza e eksporteve.
Të dhënat e fundit mbi PBB tregojnë se rritja mbështetet mbi baza të brishta. Rënia e bujqësisë dhe dobësimi i industrisë ngrenë pikëpyetje mbi cilësinë e rritjes dhe aftësinë e ekonomisë për të gjeneruar zhvillim të qëndrueshëm dhe punësim produktiv.
Rënia e prodhimit do të thotë gjithashtu se ekonomia po humbet aftësinë për të konkurruar në tregjet e jashtme. Eksportet kanë pësuar rënie vjetore me rreth 7% në 11 muaj dhe mbetën të përqendruara në produkte me vlerë të ulët të shtuar, duke e bërë rritjen më të varur nga importet dhe nga flukset e jashtme, si remitancat apo turizmi. Kjo e thellon deficitin tregtar dhe e bën ekonominë më të ekspozuar ndaj goditjeve të jashtme.
Nga ana tjetër, sektori i prodhimit zakonisht ofron punë më të qëndrueshme dhe me potencial për rritje aftësish. Me rënien e prodhimit, punësimi zhvendoset drejt aktiviteteve më informale ose me produktivitet të ulët.
