Rënia e konsumit në restorante arrin deri në 35%, frika nga SPAK dhe faktorë të tjerë ndikojnë në uljen e kërkesës
Përtej ndikimit në shitblerjen e pasurive të paluajtshme, aksionet e vazhdueshme të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kundër grupeve kriminale të përfshira në pastrim parash, po shkaktojnë pasoja edhe në konsumin e bareve dhe restoranteve.
Shoqata e Bareve dhe Restoranteve raporton se për muajin qershor, konsumi në këto ambiente ka pësuar një rënie prej 30% deri në 35% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo ulje, sipas shoqatës, ka qenë veçanërisht e ndjeshme në zonat bregdetare.
Enri Jahja, kryetar i shoqatës, shpjegoi për “Monitor” se, përveç hetimeve të SPAK-ut, tkurrja e konsumit ka ardhur edhe nga disa faktorë të tjerë. Mes tyre përmenden rritja e numrit të hoteleve me shërbim “all inclusive” në bregdet dhe dominimi i turistëve “low cost”, të cilët janë më të kujdesshëm në shpenzimet e tyre jashtë ambienteve të akomodimit.
Edhe gjatë këtij sezoni turistik, konsumi në bare dhe restorante shënoi rënie, duke arritur deri në 35%. Pavarësisht një rritjeje të vogël të konsumit në muajin maj krahasuar me majin e vitit 2025, muaji qershor pati një rënie të konsiderueshme. Pritshmëritë për një përmirësim të situatës në muajin korrik mbeten të zbehta.
Shkaqet kryesore të kësaj rënieje janë të shumta:
- Hetimet e SPAK: Veprimet e SPAK-ut kundër grupeve kriminale të implikuara në pastrim parash kanë shtyrë shumë individë, të cilët gjenerojnë para me origjinë të dyshimtë, të kufizojnë ekspozimin e tyre në bare dhe restorante. Kjo situatë po vihet re veçanërisht në zonën e Jugut, në bregdet. Disa prej tyre kërkojnë ambiente private, të cilat restorantet e konsoliduara nuk i ofrojnë gjithmonë. Ky grup karakterizohet nga konsum i lartë dhe shpenzime të mëdha për pije të shtrenjta.
- Rritja e ofertës “all inclusive”: Rritja e strukturave akomoduese në jug të vendit që ofrojnë shërbim “all inclusive” (me tre vakte ushqimi ose dy) ka sjellë si pasojë uljen e konsumit të drekave dhe darkave në restorante. Ky efekt është veçanërisht i ndjeshëm në zonën e Ksamilit.
- Dominimi i turistëve “low cost”: Shqipëria vijon të tërheqë turistë “low cost”, të cilët janë më të kursyer në shpenzimet për restorante dhe preferojnë të konsumojnë kryesisht brenda apartamenteve ku janë akomoduar.
Lidhur me çmimet, Jahja thekson se gjatë këtij sezoni turistik nuk ka pasur rritje. Shpenzimet mesatare për individ në restorant variojnë nga 20 deri në 40 euro.
Konsumi në bare dhe restorante kishte shënuar rënie edhe gjatë periudhës janar-shtator 2025, me një ulje prej 10% deri në 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Sipas kryetarit të Shoqatës, kjo rënie u ndikua nga faktorë ekonomikë dhe demografikë.
Aktualisht, në Shqipëri operojnë rreth 15,500 bare, nga 22,000 që ishin në vitin 2015. Biznesi i bareve renditet si aktiviteti i dytë më i preferuar në vend, pas biznesit të pakicës.
Një problematikë tjetër për sektorin mbetet vështirësia në gjetjen e punonjësve, si dhe informaliteti në pagat e tyre. Pavarësisht punësimeve të punonjësve të huaj, Shoqata e Bareve dhe Restoranteve llogarit një mungesë prej 10,000 deri në 20,000 punonjësish.
