Bankat raportuan rënie të kërkesës për kredi për shtëpi në tremujorin e parë
Kërkesa e individëve për kredi ka shënuar rënie në tremujorin e parë të vitit 2026. Sipas një vrojtimi të aktivitetit kreditues të kryer nga Banka e Shqipërisë, kjo ulje është ndikuar kryesisht nga kërkesa më e ulët për blerjen e banesave.
Edhe pse kredia për blerje banesash arriti nivele rekord gjatë vitit 2025, pavarësisht masave kufizuese të Bankës së Shqipërisë, tregu i këtij produkti ka treguar shenja ngadalësimi në tremujorin e parë të vitit aktual.
Bankat raportojnë se kërkesa më e ulët për kredi në financimin e blerjes së banesave u shkaktua nga:
- Vonesat në miratimin e udhëzimeve që duhet të shoqëronin Ligjin për Vlerësimin e Pasurive të Paluajtshme.
- Kufizimet rregullatore në fuqi që nga korriku 2025.
Standardet e kreditimit për kreditë për shtëpi kanë mbetur të pandryshuara gjatë këtij tremujori. Megjithatë, burime nga tregu theksojnë se disa banka janë bërë më të kujdesshme në këtë segment, pjesërisht për shkak të shqetësimeve rreth ciklit të pasurive të paluajtshme, veçanërisht në kryeqytet.
Nga ana tjetër, edhe kërkesa e individëve për kredi për blerje pronash duket të jetë në rënie. Ndërkohë, bankat po kompensojnë shtrëngimin në segmentin e kredive hipotekare me një qasje më agresive në segmentin e kredisë konsumatore.
Vrojtimi i aktiviteti kreditues tregon se kushtet dhe termat e përgjithshëm për kreditë akorduar individëve u lehtësuan në tremujorin e parë të vitit, por vetëm për kreditë konsumatore. Ky lehtësim erdhi si pasojë e:
- Aplikimit të marzheve më të ulëta mbi kreditë normale.
- Shtimit të madhësisë së kredisë.
- Zgjatjes së maturitetit të kredive konsumatore.
Lehtësimi i standardeve të kredive konsumatorë është nxitur nga konkurrenca në sistemin bankar dhe nga toleranca më e lartë e bankave ndaj marrjes përsipër të rrezikut.
Megjithatë, në përgjithësi, bankat raportojnë se shkalla e miratimit të kredive për individët shënoi rënie në tremujorin e parë të vitit 2026. Kjo rënie u shkaktua nga treguesit e historikut të kreditit, të lidhur me të dhënat nga regjistri i kredive dhe nga statusi i kredive aktuale.
Për tremujorin e dytë të vitit 2026, bankat parashikojnë një kërkesë të lartë për kredi, si për financimin e konsumit, ashtu edhe për blerjen e banesave. Kjo mund të lidhet pjesërisht edhe me nisjen e procesit të rivlerësimit të pasurive të paluajtshme.
