Korçë/Reshjet e dendura gjatë natës shkaktojnë probleme në disa bashki
Reshjet e dendura të natës dhe orëve të para të mëngjesit kanë shkaktuar një sërë problemesh në territorin e qarkut Korçë. Prefektura ka njoftuar se strukturat përgjegjëse po punojnë vazhdimisht në terren për të menaxhuar situatën dhe për të minimizuar dëmet.
Korçë – Uji futet në Prokurori
Në ambientet e Prokurorisë së Korçës ka pasur prezencë uji në bodrum dhe në arkivë. Ekipet përkatëse ndërhynë gjatë natës për thithjen e ujit, duke ruajtur dokumentacionin. Situata është stabilizuar.
Maliq – Probleme me energjinë, evakuime dhe përmbytje tokash
- Në Bllokun 3 Maliq, reshjet shkaktuan probleme me rrjetin elektrik dhe ndërprerje energjie. OSHEE stakoi fidrin për shkak të ujit të shumtë dhe po punon për rikthimin e energjisë.
- Në Sovjan, Forcat e Mbrojtjes nga Zjarri evakuuan banorë, bagëti dhe kosheret e bletëve. Situata është drejt normalizimit.
- Në Leshnjë janë raportuar bagëti të mbytura, ndërsa ekipet vendore vijojnë verifikimet.
- Në zonën përballë fshatit Vlocisht ka prezencë uji në oborret e banesave, me MZSH që po kryen ndërhyrjet e nevojshme.
- Lumi Dunavec është çarë në dy pika, duke përmbytur sipërfaqe bujqësore. Po vjen mjet ndërhyrjeje nga Pogradeci për riparimin e dëmeve.
Pustec – Rrezik daljeje përroi, rrugë me inerte
- Në aksin Doganë–Goricë e Vogël ka rrezik që përroi të dalë në rrugë. Strukturat përgjegjëse po monitorojnë situatën.
- Në aksin Zvezdë–Goricë ka prezencë inertesh të sjella nga reshjet, dhe kontraktori ndodhet në terren për pastrim.
Devoll – Përmbytje, shkarje dhe kërkesë për ndërhyrje urgjente
- Në fshatin Progër situata mbetet e rënduar nga reshjet intensive, ndërsa probleme raportohen edhe në Mancurisht.
- Në Dobranj kërkohet ndërhyrje urgjente, pasi përroi ka dalë nga shtrati duke përmbytur tokat bujqësore.
- Rruga Miras–Arrëz ka shkarje dheu dhe gurësh; ekipet janë nisur për të verifikuar terrenin.
- Në Poloskë është përmbytur një banesë, ku gjatë natës është vendosur pompë për largimin e ujit.
- Edhe në Qytezë raportohet shkarje dheu.
Strukturat vendore dhe ekipet e emergjencave vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjet në të gjitha zonat problematike. Prefektura e Korçës po koordinon punën me të gjitha institucionet për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
