Rimbursim 10% Faturave për Fermerët – Nis 1 Korrik

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj: Më 1 korrik nis rimbursimi 10% i faturave për rreth 10 mijë fermerë

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, ka njoftuar se më 1 korrik fillon procesi i rimbursimit prej 10% të vlerës së faturave për fermerët. Numri i përfituesve pritet të jetë rreth 10 mijë fermerë në mbarë vendin.

Në një intervistë për mediat, Binaj theksoi se, sipas përllogaritjeve paraprake të administratës tatimore, fondi që fermerët do të përfitojnë arrin në rreth 10,7 milionë euro. Ai vuri në dukje një rritje të ndjeshme të autofaturave krahasuar me një vit më parë, duke reflektuar zgjerimin e formalizimit të aktivitetit bujqësor dhe përfshirjen e më shumë fermerëve në skemë.

Administrata tatimore po përgatit të gjitha procedurat e nevojshme për nisjen e procesit të rimbursimit, me qëllim krijimin e një mekanizmi sa më të thjeshtë dhe të aksesueshëm për fermerët.

“Brenda datës 23 qershor do të informojmë fermerët për mënyrën dhe procedurat e aplikimit. Po punohet për një zgjidhje digjitale, në mënyrë që aplikimet të kryhen online dhe procesi të jetë sa më i lehtë”, tha ai.

Kreu i Tatimeve u bëri thirrje fermerëve që të hapin sa më shpejt llogari bankare, pasi pagesat e rimbursimit do të transferohen drejtpërdrejt në to.

Binaj sqaroi se aplikimet do të nisin zyrtarisht më 1 korrik, sipas procedurave që do të përcaktohen nga administrata tatimore. Skema synon të mbështesë fermerët dhe të nxisë më tej formalizimin e sektorit bujqësor.

Scroll to Top