Sektori bankar: Fitimet bien, sfidat e interesave dhe SEPA

Interesat e ulëta, efektet e SEPA-s dhe shpenzimet në rritje po tkurrin fitimet e sektorit bankar

Fitimet e sektorit bankar paraqiten në rënie edhe gjatë pjesës së parë të vitit 2026. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për katër muajt e parë të vitit, fitimi neto i sektorit ishte 9.5 miliardë lekë, duke shënuar një rënie prej 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kthimi nga kapitali aksionar ka pësuar gjithashtu një rënie, duke arritur nivelin e 12.17%, nga 15.28% që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në të njëjtën kohë, kthimi nga aktivet zbriti në 1.25%, nga 1.58% që ishte një vit më parë.

Rënia e normave të interesit ka sjellë një korrigjim në ulje të fitimeve të sektorit bankar që prej vitit të kaluar. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se për vitin 2025, fitimi neto i sektorit zbriti në 35.6 miliardë lekë, duke pësuar një rënie prej 5% krahasuar me një vit më parë. Këto tendenca duket se kanë vijuar edhe gjatë muajve të parë të këtij viti.

Rezultati neto nga interesat i sektorit është pothuajse në stanjacion, për shkak se rritja e të ardhurave nga interesat nuk po arrin të tejkalojë rritjen e shpenzimeve për interesa. Ndërkohë, një faktor tjetër që ka ndikuar në përfitueshmërinë e sektorit është ngadalësimi i rritjes së të ardhurave nga komisionet.

Në këtë drejtim, vlerësohet se ndryshimet rregullatorë të miratuara nga Banka e Shqipërisë vitin e kaluar, të cilat kufizuan më tej të ardhurat nga transfertat kombëtare, dhe sidomos anëtarësimi në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), kanë pasur një ndikim të ndjeshëm. Prej tetorit të kaluar, bankat shqiptare kanë nisur operacionet në sistemet e SEPA, gjë që ka sjellë një ulje drastike të komisioneve për transfertat ndërkombëtare. Kjo ulje ka filluar të japë efekte edhe në bazën e të ardhurave të bankave tregtare.

Nga ana tjetër, presionet mbi kostot e bankave mbeten të larta. Shpenzimet për personelin janë në rritje vit pas viti, duke reflektuar rritjen e numrit të punonjësve dhe tendencën e vazhdueshme të pagave. Gjithashtu, shpenzimet e tjera operacionale kanë vijuar të rriten, të nxitura kryesisht nga nevojat në rritje për investime në teknologjinë, inovacionin dhe komunikimin, duke përfshirë sigurinë kibernetike. Ndërkohë, projekte madhore në sektorin e pagesave, siç ishte SEPA apo adoptimi i afërt i pagesave të çastit (instant payments), kanë sjellë gjithashtu nevojën për investime të reja në sistemet e bankave.

Në muajt e parë të këtij viti po shënohet edhe një rritje në vlerën e fondit rezervë për humbjet nga kreditë e këqija. Megjithëse raporti i kredive me probleme vazhdon të jetë në rënie të ngadaltë me bazë vjetore, provigjonet janë rritur. Kjo tregon kryesisht një rritje të peshës së nëngrupeve të kredive të dyshimta dhe të humbura, të cilat kërkojnë vlera më të larta mbulimi me fonde rezervë.

Scroll to Top