Rimbursimi i barnave bie, shqetësim për shëndetin publik

2023-2026: Fondi për rimbursimin e barnave zvogëlohet në raport me buxhetin total

Shpenzimet buxhetore po rriten me ritme më të shpejta se fondet e destinuara për rimbursimin e barnave. Kjo situatë tregon se qeveria nuk po ndan në mënyrë proporcionale fondet publike, pavarësisht se nevojat për medikamente po rriten me shpejtësi.

Buxheti për vitin 2026 parashikon shpenzime totale prej 886.7 miliardë lekë, ose rreth 9 miliardë euro. Ndërkohë, fondi për rimbursimin e barnave është vetëm 13.5 miliardë lekë, duke përbërë vetëm 1.5% të shpenzimeve totale buxhetore.

Nga viti 2023 deri në 2026, shpenzimet e përgjithshme buxhetore janë rritur me 37%, ndërsa ato për rimbursimin e barnave vetëm me 18.4%. Të dhënat tregojnë se pesha e shpenzimeve për rimbursimin e medikamenteve në raport me buxhetin e përgjithshëm është në rënie.

  • Në vitin 2023, rimbursimi zinte rreth 1.8% të shpenzimeve buxhetore totale.
  • Në vitin 2024, ky përqindje bie në 1.6%.
  • Në vitin 2026, pritet të stabilizohet rreth 1.5%.

Edhe pse fondi për rimbursimin e barnave po rritet në vlerë nominale, pesha e tij relative në buxhetin e përgjithshëm të shtetit po zvogëlohet vit pas viti. Kjo sugjeron se rritja e tij nuk po e ndjek ritmin e zgjerimit të shpenzimeve publike.

Të dhënat zyrtare tregojnë një rritje sistematike të sëmundjeve kronike me mbi 5-6% në vit pas pandemisë. Plakja e popullsisë dhe kërkesa në rritje për trajtime më moderne ushtrojnë presion që fondi për rimbursim të mos bjerë në peshë relative, por të ecë të paktën në të njëjtin ritëm me rritjen e shpenzimeve buxhetore, ose edhe më shpejt.

Kjo situatë tregon se sistemi buxhetor po u jep përparësi zërave të tjerë, ndërkohë që barra e sëmundjeve po rritet me shpejtësi. Si pasojë, Shqipëria mbetet vendi i vetëm në Europë që nuk ka ende një PET Scanner në sistemin publik.

Gjithashtu, kërkesat për rimbursim janë shumë më të larta se fondi në dispozicion, duke bërë që qeveria të ndryshojë fondet me rritje në mes të vitit. Në mes të vitit 2023, qeveria rriti buxhetin për rimbursimin e medikamenteve në 12 miliardë lekë nga 11.4 miliardë që ishte në fillim të vitit. Megjithatë, edhe këto fonde nuk ishin të mjaftueshme, pasi deri në fund të vitit u gjeneruan 58 milionë lekë detyrime të prapambetura.

Ekspertët mendojnë se plakja e popullsisë dhe ndikimi i pandemisë COVID-19 kanë kontribuar në rritjen e sëmundjeve kronike. Sëmundje me incidencë të lartë në popullatë si Diabeti apo Hipertensioni kanë marrë më shumë fonde, duke bërë që grupi i insulinave të shënojë një rritje të lartë të shpenzimeve të rimbursimit në vitet e fundit.

Scroll to Top